
Anulimi i tenderit për portin e ri në Porto Romano rrezikon të shtyjë zhvendosjen e portit tregtar të Durrësit dhe, për pasojë, të vonojë edhe realizimin e projektit turistik Durres Marina, që po ndërtohet me idenë e largimit të portit ekzistues nga qyteti.

Tenderi për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano është anuluar, duke ndalur përkohësisht një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të financuara nga buxheti i shtetit në vitet e fundit me vlerë rreth 400 milion euro.
Vendimi vjen në një moment kur procedura e prokurimit kishte mbetur praktikisht pa garë reale. Pas një serie skualifikimesh mbi baza formale, në fazën finale kishte mbetur vetëm konsorciumi i drejtuar nga kompania ndërkombëtare Archirodon Construction, së bashku me partnerët e saj për punimet e gërmimit dhe rikuperimit të tokës. Në fund, Archirodon Construction kërkoi një shtyrje të afateve për të paraqitur ofertën dhe pas kalimit të këtij afati në datën 9 mars, tenderi konsiderohet i dështuar.
Procedura kishte nisur në fund të vitit 2024 me pesë operatorë ndërkombëtarë në garë, por gjatë procesit u përjashtuan disa nga kompanitë më të mëdha europiane të sektorit, mes tyre Vinci, Jan De Nul dhe Van Oord.
Përjashtimet u argumentuan zyrtarisht me mungesa dokumentacioni ose elementë proceduralë, por u shoqëruan me kritika se gara ishte reduktuar në mënyrë artificiale.
Negociatat/ Mbetet pezull tenderi i portit të ri të Durrësit
Projekti për “Portin e Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano – Faza I” kishte një vlerë rreth 400 milionë euro dhe synon zhvendosjen e aktivitetit tregtar nga porti ekzistues i Port of Durrës drejt zonës së Porto Romanos.
Procesi i tenderimit ishte shoqëruar edhe me tensione politike dhe hetime nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka sekuestruar dokumente në zyrat e Autoritetit Portual Durrës në kuadër të një hetimi për procedurat e prokurimit.
Kërkesa nga SHBA për anulimin e tenderit dhe propozimi për një port më të madh
Debati për projektin kulmoi me një letër të dërguar kryeministrit Edi Rama nga kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleve. Në mesazh kërkohej shtyrja dhe rishikimi i projektit të Porto Romanos, me argumentin se një port me kapacitet të kufizuar mund të rrezikonte funksionimin e Corridor VIII dhe rolin strategjik të Shqipërisë në rajon.
NATO kundër portit të ri tregtar të Durrësit: Nuk i përmbahet kapaciteteve për ankorimin e anijeve
SHBA kishte si synim mbrojtjen e projektit të Korridorit 8, një korridor me rëndësi strategjike për transportin dhe lëvizjen në rajon. Sipas argumentit të paraqitur në email, një port me kapacitete të kufizuara në Durrës do ta rrezikonte seriozisht të gjithë këtë projekt.
Në mesazh thuhej se: “Portet ndërtohen një herë në shekull dhe gabimet strategjike të bëra në ndërtimin e tyre mund të ndikojnë fatin e një vendi për një shekull. Nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e kufizuar aktuale, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht, dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm”.
Ekskluzive/ Porti i ri i Durrësit, SHBA me një ofertë të re për Edi Ramën
Sipas analizës së amerikanëve, një port i vogël në Porto Romano do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për të gjithë arkitekturën e transportit në rajon. Një projekt i reduktuar do të sillte ankorimin e shumë pak anijeve dhe, për pasojë, Korridori 8 do të humbiste funksionin e tij real.
Sipas këtij qëndrimi, një port më i madh dhe i ndërtuar sipas standardeve të NATO do të kishte një rol kyç në logjistikën e Aleancës dhe në arkitekturën e transportit në Evropën Juglindore, prandaj propozimi ishte një
model alternativ zhvillimi: “Një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia dhe të zbatuar nga furnitorë strategjikë kryesorë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia”.
Reuters: Shqipëria negociata me NATO-n për një bazë detare në Porto Romano
Ajo që bie në sy në kërkesën e nënshkruar nga kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë është se oferta nuk erdhi si një iniciativë e izoluar amerikane. Në propozimin e tij përfshihen Italia, Holanda dhe Turqia, tre vende me peshë në NATO dhe në arkitekturën strategjike të rajonit.
Komplikimi për Durrës Jacht Marina

Anulimi i tenderit pritet të krijojë pasoja zinxhir për një tjetër projekt të madh që lidhet drejtpërdrejt me fatin e portit aktual të Durrësit. Bëhet fjalë për projektin turistik Durres Marina, i promovuar nga biznesmeni nga Dubai Mohamed Alabbar.
Ky projekt parashikon transformimin e portit ekzistues të Durrësit në një kompleks turistik me marina, rezidenca dhe kulla luksoze. Por realizimi i tij është i lidhur drejtpërdrejt me zhvendosjen e aktivitetit tregtar drejt portit të ri në Porto Romano.
Nëse ndërtimi i portit të ri shtyhet ose rishikohet nga e para, procesi i zhvendosjes së portit aktual mbetet i bllokuar. Kjo krijon një situatë të re për projektin turistik në Durrës, i cili ishte konceptuar mbi premisën se porti tregtar do të largohej nga qyteti, apartamentet janë shitur dhe vlera e tyre ka arritur në disa dhjetëra miliona euro blerje në ajër.
I pari që ka paralajmëruar për ngërçin që do të krijohej për shkak të problemeve me projektin e Porto Romanos ishte ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.
“Jemi duke folur për një rrezik që Shqipëria të mbetet pa port, sepse Alabari dërgon letra zyrtare kërkon lirimin e portës 4, por po të lirosh portën 4 s’ka më port Shqipëria. Dhe nesër, Alabarit i lind e drejta të shkojë në arbitrazh dhe do të na varrosi sepse sipas kontratës që ka ne nuk po i lirojmë hapësirat” shprehej Arben Ahmetaj
Në këtë mënyrë, anulimi i tenderit për Porto Romanon prek një investim portual prej qindra milionë eurosh, por edhe rrezikon të ndikojë edhe mbi të gjithë zinxhirin e projekteve që janë ndërtuar mbi idenë e zhvendosjes së portit të Durrësit dhe transformimit të vijës bregdetare të qytetit.
Pak ditë më parë, pasi Lapsi.al publikoi letrën e kreut te Dhomës Amerkane të Tregtisë Grant VanCleve, kryeministri Rama reagoi me nervozitet duke thënë se projekti i portit të ri nuk do të ndryshojë dhe se ai ka një plan B dhe C për çdo gjë.
“Nuk do flas gjatë, por një gjë do ta them: Ata që e luftojnë projektin, ata që nuk po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin dhe ne i dimë kush janë. I kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet”, tha kryeministri që foli për xhelozi nga vendet e tjera në lidhje me këtë projekt.
Gjithsesi, ajo që kuptohet deri tani është se me anulimin e tenderit të Porto Romanos, Rama ka bërë një hap pas. Në lojë janë planet e tij për ta zhvilluar bregdetin përmes komplekseve turistike, por edhe interesat strategjikë të NATO-s që nuk i kishte llogaritur siç duhet. Të dyja janë interesa të ligjshme dhe logjike, por e rëndësishme është që nëse në fund del se kryeministri e kishte gabim, fatura të mos i shkojë qytetarëve për t’u paguar nga gjykatat e arbitrazhit./Lapsi.al



