
Kryeministri Edi Rama po negocion Sazanin, një pasuri të Shqipërisë, përmes një qasjeje arbitrare të mbështetur kryesisht në marrëdhënie personale për hir të pushtetit, duke anashkaluar standardet ligjore dhe institucionale.
Që prej vitit 2024, kur Jared Kushner – dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump – shpalli interesin për ta kthyer ishullin në një resort luksoz privat, narrativa publike për Sazanin është mbushur me premtime për zhvillim ekonomik, investime elitare dhe rritje të imazhit të vendit.
Por pas dy vitesh, bilanci është ky: Kushner ka fituar marketing falas për portofolin e tij ndërkombëtar imobiliar. Rama ka fituar simpati dhe afërsi me familjen Trump, duke forcuar pozitat politike në planin e brendshëm. Ndërsa shqiptarët dhe vetë shteti shqiptar nuk kanë fituar asgjë konkrete.
Përkundrazi. Është shënuar një tjetër precedent i rrezikshëm ku një njësi territoriale e vendit po ofrohet për zhvillim në mungesë gare, transparence dhe pa garanci të qarta ligjore dhe ekonomike.
Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se negociatat po zhvillohen formalisht në institucione dhe janë shtyrë pa afat që prej 13 nëntorit 2025. Zyrtarisht, nuk ka plan për Zvërnecin, ndërsa planet tregojnë se i gjithë ishulli i Sazanit do të privatizohet – në kontrast me narrativën fillestare se do të prekej “vetëm 8% e sipërfaqes”.
Në fakt, 45.6 hektarë (8%) nga 570 hektarë tokë janë sipërfaqja që do zihet nga ndërtimi, ndërsa projekti tregon se Sazani kthehet në ishull privat.
Përmasat reale të projektit të propozuar
Deri më tani, publiku është njohur me vetëm tre imazhe të publikuara nga Jared Kushner më 15 mars 2024 në platformën “X”: vila të shpërndara në shpatet e Sazanit dhe një vizion ndërtimesh masive mbi zonën ligatinore të Zvërnecit. Ato kanë qarkulluar thuajse në të gjitha raportimet që flasin për projekt-propozimin.
Por harta e përmbledhjes fazore të projektit, të cilën Citizens.al e disponon, tregon një realitet të ndryshëm për fatin e ishullit.

Sipas dokumentacionit të analizuar, Sazani është propozuar të ndahet në tre rajone të përgjithshme, të organizuara sipas fazave të zhvillimit me rreth 448,000 m² ndërtime për afërsisht 970 njësi rezidenciale/hotelerie. Ishulli konceptohet si një tërësi e integruar, ku i gjithë rrjeti i rrugëve dhe i qarkullimit do të jetë në funksion të ndërtimeve.
Me fazën e parë privatizohet zemra e ishullit: Porti dhe zona qendrore – pikërisht nyja funksionale të Sazanit ku aktualisht janë dhe godinat e vjetra të ish-reparteve ushtarake, dhe është e vetmja pikë hyrëse për në ishull.
Lexo: Nga vizitor në investitor strategjik, si e siguroi Sazanin Jared Kushner
Në zonën “Marina Area” parashikohen 1,000 m² ambiente shërbimi (amenities) dhe 18,000 m² hapësira shërbimesh. Rreth saj, në “North Valley” parashikohen 39,000 m² ndërtim me 56 vila dhe 11 apartamente (condo).
“South Valley” shton 22,000 m² me 144 vila hoteliere. Ndërsa në “Central Ridge” parashikohen 63,000 m² me 56 vila dhe 26 “condo”. “West Valley” përfshin 8,000 m² me 25 vila hoteliere dhe “West Estates” 5,000 m² me 8 rezidenca private.
Kjo fazë e parë nuk duket si fazë pilotimi, pasi vendos themelet e një infrastrukture të plotë rezidenciale dhe hoteliere që e shndërron qendrën e ishullit në një kompleks të mbyllur funksionalisht.
Faza e dytë përhapet te shpatet dhe skajet bregdetare. Zhvillimi zgjerohet në skajet veri-jug dhe në kodrat e ishullit me hapësira më të mëdha imobiliare që duket se ofrohen si rezidenca.
“North Point” përfshin 30,000 m² me 35 vila. “North Ridge Estate” shton 35,000 m² me 35 “estates”. “West Estates” parashikon 23,000 m² me 20 “estates”. “South Ridge Estates” 14,000 m² me 13 “estates”. “South Point” 18,000 m² me 16 vila.
Kjo fazë prek pikërisht zonat panoramike dhe shpatet me vlerën më të lartë të peizazhit. Nga një perspektivë zhvillimi, këto duket se janë segmentet “Premium” të projektit. Nga një perspektivë publike, ato janë pjesët që deri më sot kanë qenë hapësirë e lirë natyrore dhe të paprekura.
Projekti vijon me një fazë të tretë të lënë si mundësi zgjerimi në vijim. Ky është dhe aspekti më domethënës, pasi është zona e etiketuar si “Potential Future Phase” dhe përqendrohet me një zhvillim më masiv në në perëndim të zonës portuale.
Ajo parashikon 172,000 m² zhvillim me 525 njësi (që nënkupton apartamente).
Kjo shifër e vetme ndryshon përmasën e diskutimit. Nëse realizohet, faza e tretë do ta çojë ishullin drejt një densiteti ndërtimi që praktikisht e përmbyll të gjithë hapësirën e disponueshme për projekte të tjera.
Në terma planifikimi territorial, kjo nënkupton se Sazani propozohet si një zhvillim ekskluziv dhe i vetëm, pa hapësirë për iniciativa të tjera publike apo private jashtë këtij projekti.
Kështu, narrativa fillestare e “8% të sipërfaqes” që kishte krijuar perceptimin e një ndërhyrjeje të kufizuar është tjetër gjë kur qaset kjo hartë e propozuar. Projekti nuk është i izoluar në një cep të ishullit, por shtrihet në qendër, në kreshta dhe në skajet bregdetare.
Edhe nëse raporti i ndërtimit mbi sipërfaqen totale mbetet formal, dinamika e zhvillimit tregon se ishulli do të funksionojë si një kompleks i vetëm privat.

Me këtë plan, Sazani nuk është thjesht një resort. Ai është një territor i projektuar për një përdorim ekskluziv, të integruar dhe të centralizuar nën një operator të vetëm.
Dhe kjo presupozohet ta zhvendosë debatin nga “sa përqind ndërtohet” te pyetja se “çfarë mbetet realisht publike”?
Grupi negociator ekziston vetëm si “formalitet”
Citizens.al ka mësuar se grupi negociator që ka diskutuar dhe firmosur dokumente për Sazanin nga 13 janari deri më 27 tetor 2025 është mbledhur gjithsej 10 herë.
Grupi prej nëntë anëtarësh përbëhej nga:
- Elira Kokona, drejtuese e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH);
- Ermal Nufi (sot ministër i Mbrojtjes), atëherë përfaqësues i Kabinetit të Zëvendëskryeministrisë;
- Sofjan Jaupaj (sot ministër i Mjedisit), atëherë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit;
- Ami Kozeli (sot drejtor i ARRSH), atëherë zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
- Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
- Eldi Çondi, drejtor kabineti në Ministrinë e Financave;
- Aleks Marku, sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes;
- Alban Binaj, administrator i Albanian Seasports Development (ASD);
- Fiona Beqiri, drejtuese projektesh nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Ky grup u ngrit si strukturë teknike pas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike në fund të vitit 2024, i cili i dha statusin e investitorit strategjik propozimit të Kushnerit.
Në teori, ky është mekanizmi standard: Shteti krijon një trup negociues dhe përmes tij diskuton kushtet me investitorin. Por në praktikë, dokumentet tregojnë tjetër gjë.
Lista e mbledhjeve përfshin prezantime, plane veprimi, diskutime mbi një memorandum mirëkuptimi dhe – në fund – diskutime për shtyrjen e afatit të negociatave.
Nuk ka të dhëna të qarta të botuara për takime të përbashkëta intensive me investitorin. Nuk ka procesverbale që dokumentojnë negociata konkrete mbi territorin, të drejtat e përdorimit apo detyrimet ekonomike.
Sipas AIDA-s, investitori është përfaqësuar “në rrugë zyrtare” nga Asher Abehsera si administrator. Por nuk sqarohet se cilin subjekt juridik ka përfaqësuar ai konkretisht, teksa nuk janë publikuar dokumentet e autorizimeve.

Kjo lë të hapur mundësinë që negociatat të jenë zhvilluar kryesisht përmes shkresave apo ndërmjetësimeve të tjera informale, me gjasë edhe të një përfaqësuesi, apo bashkëpunëtori lokal, që mund të ketë parakontrata për t’u angazhuar si nënkontraktor në zhvillimin e projektit.
Ndërkohë, jashtë institucioneve, raportimet mediatike tregojnë një angazhim shumë më intensiv: vizita, dreka, darka dhe pritje të nivelit të lartë, ku projekti është diskutuar me praninë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama.
Lexo: Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë
Në këtë dualitet, grupi teknik duket më shumë si një artificë procedurale sa për të përmbushur një detyrim ligjor, teksa vendimmarrja e vërtetë duket se është në varësi të qejfit dhe ecurisë së marrëdhënieve personale të Kryeministrit me familjarët e Trumpit.
Negociata pa afat dhe pa shpjegim
Negociatat për zhvillimin e Sazanit duhet të përfundonin më 13 nëntor 2025, por kjo datë nuk u respektua dhe u shty pa afat. AIDA pranoi për Citizens.al se shtyrja është bërë “me dakordësi të palëve”, por nuk dha arsye konkrete dhe asnjë datë përfundimtare të re, pavarësisht këmbënguljes së Citizens.
Në negociatat për investime strategjike, shtyrjet zakonisht lidhen me pengesa reale si statusi juridik i tokës, konfliktet e pronësisë, kushtet gjeologjike, mosdakordësitë financiare etj. Por asnjë prej këtyre arsyeve nuk është përmendur.
Ndërkohë, dihet se ishulli nuk ka infrastrukturë bazë – mungojnë uji dhe energjia elektrike – elemente thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm.
AIDA deklaron se detajet do të bëhen publike vetëm kur marrëveshja të përfundojë. Me fjalë të tjera, qytetarët do të informohen pasi Rama të ketë shërbyer darkën e radhës dhe vendimi të jetë praktikisht i pakthyeshëm.
Zyrtarisht, AIDA deklaron se projekti përfshin vetëm Sazanin dhe nuk ka asnjë aplikim për Zvërnecin. Megjithatë, gjatë janarit, delegacioni i lidhur me Ivanka Trump vizitoi edhe atë zonë dhe zhvilloi një takim me arkitektë dhe zyrtarë të lartë.
Lexo: “Shteti si agjent imobiliar”, nga Sazani te Zyber Hallulli
Pse një zonë që “nuk është pjesë e projektit” përfshihet në itinerarin e pritjeve atëherë? Ose Zvërneci përdoret për të zgjeruar narrativën e zhvillimit dhe për të forcuar jehonën e portofolit të Jared Kushner – pra si marketing, – ose ekziston një plan paralel që nuk është formalizuar ende.
Në të dy rastet, komunikimi publik nuk përputhet me dokumentet zyrtare dhe ata që humbin janë po qytetarët shqiptarë, institucionet dhe sundimi i ligjit.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) pranoi për Citizens.al se përfaqësuesit e saj kanë qenë të pranishëm në aktivitetet e zhvilluara gjatë vizitës së Ivanka Trump në Vlorë. Por kjo agjenci theksoi se roli i saj ka qenë “orientues institucional” se “nuk ka qenë organizatore” dhe as “nuk di kush e ka organizuar aktivitetin”.

Kjo krijon një situatë paradoksale. Një institucion shtetëror merr pjesë në një aktivitet që lidhet me një investim strategjik në territor, por nuk ka informacion bazë për organizatorin apo strukturën e tij.
Në praktikë, kjo sugjeron një model abuziv dhe tejet arbitrar vendimmarrjeje ku takimet private kanë praninë e shtetit, por jo përgjegjësinë administrative të tij.
Diplomacia e investimeve dhe “Shtëpia Trump”
Historia e Sazanit shkon përtej një projekti turistik. Ajo prek mënyrën se si Shqipëria – një vend kandidat për Bashkimin Evropian – administron pasuritë publike dhe ndërton marrëdhënie me aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë.
Një nga standardet themelore të BE-së është konkurrenca e hapur dhe transparenca në menaxhimin e pronës publike. Projekti i Sazanit nuk është rezultat i një gare ndërkombëtare, por i një negocimi të drejtpërdrejtë.
Në raste të tjera me oferta të pakërkuara, është hapur të paktën një garë formale. Me Sazanin, pas dy vitesh, ende negociohet pa përfundim.
Në një rajon ku mbështetja ndërkombëtare shihet si garanci sigurie politike, investimet mund të marrin edhe dimension diplomatik. Por kjo ngre një pyetje thelbësore: A po përdoret zhvillimi ekonomik si instrument për afërsi politike? Nëse po, me çfarë çmimi?
Sepse debati nuk është më vetëm për një resort. Është për mënyrën se si një shtet i vogël negocion me aktorë të mëdhenj: Përmes ndjekjes së ligjit, procedurave të hapura dhe konkurruese, apo përmes marrëdhënieve të privilegjuara që premtojnë jo vetëm kapital, por edhe afërsi me fuqinë e “Shtëpisë Trump”.
Në fund kush do ta gëzojë këtë afërsi politike dhe sa do të zgjasë ajo, do ta gëzojë shteti shqiptar apo kryeministri aktual.



