
Pas mbledhjes maratonë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka prezantuar 7 ndryshime në kabinetin qeveritar.
Lëvizjet vijnë në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun, e cila mbetet e pezulluar nga detyra. Rama ka vendosur largimin e saj nga posti i zëvendëskryeministres dhe nga drejtimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Në vend të saj si numri dy i qeverisë është emëruar Albana Koçiu, e cila lë postin e ministres së Brendshme. Drejtimi i Ministrisë së Brendshme i është besuar Besfort Lamallarit, që deri më tani mbante detyrën e ministrit të Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë do të drejtohet nga Toni Gogu, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës i kalon Enea Karakaçit.
Ndryshime ka edhe në diplomaci dhe mbrojtje. Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu largohen nga kabineti. Si ministër i Jashtëm është emëruar ish-ambasadori i Shqipërisë në BE, Ferit Hoxha, ndërsa Ministria e Mbrojtjes do të drejtohet nga Ermal Nufi.
Gjithashtu, Erjona Ismaili është emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke zëvendësuar Toni Gogun në këtë detyrë.



