
Nga Thoma Nika-
Plazhet publike të Sarandës janë në fokus të përgatitjeve të qytetit për sezonin e ri veror.
Kohë më parë u bë pastrimi i sipërfaqes së tyre nga prurjet dimërore, si leshterikë, trungje e degë pemësh etj. Ndërsa këto ditë ka nisur një investim i ri në plazhin “Rinia”.
Investimi ka për qëllim zgjerimin e sipërfaqes së këtij plazhi, ndër më të mëdhenjtë e më të frekuentuarit.
Për këtë është dashur mbushja e detit në skajin më fundor të tij, duke hedhur tonelata të tëra me materiale inerte. Pas kësaj është radha e hedhjes së rërës dhe e arredimit, për të unifikuar hapësirën ekzistuese me atë të re.
Punimet për zgjerimin e sipërfaqes dhe hapësirës së këtij plazhi ndiqen me interes nga qytetarët, të cilët takohen në mendimin se kjo është ndër punët e mira për përgatitjen e sezonit të ri veror.
Ndërkaq, e pandarë nga vlerësimi pozitiv, vjen edhe vërejtja që punimet do të duhej të shpjegoheshin me tabelën informuese për çfarë po ndodh, kur ato përfundojnë, sa do të kushtojnë etj.
I nevojshëm dhe i dobishëm vlerësohet ky investim edhe nga anëtari i Këshillit Bashkiak Ibrahim Barjami, ndërkohë që ai thotë se nuk është model i mirë që ai kryhet pa marrë asnjë dijeni apo informim të këshilltarëve.
Në përfundim të investimit zgjerues të sipërfaqes së Plazhit të Centralit ose “Rinia”, ai bëhet plazhi më i madh publik përpara shetitores së Sarandës. Tradicionalisht ai është më i frekuentuari nga vendasit dhe të huajt, që zgjedhin Sarandën për pushimet e tyre. Ndërsa me zgjerimin më të fundit, pritet që plazhi Rinia të ofrojë cilësi më të mirë dhe kapacitet të shtuar me rreth 1 mijë m2.



