
Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, është takuar këtë javë me zyrtarë të lartë amerikanë në Uashington disa muaj pasi administrata e presidentit Donald Trump i hoqi sanksionet e vendosura ndaj tij për veprime që minojnë marrëveshjen e paqes së pasluftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Dodik, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të Republikës Srpska, përfshirë presidenten në detyrë Ana Trisiq Babiq, zhvilloi takime me aekretarin e Mbrojtjes së ShBA-së, Pete Hegseth, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Pas takimit me Hegseth, Dodik shkroi në platformën X se sekretari i mbrojtjes e “kupton sa thelbësore janë forca, udhëheqja parimore dhe mbrojtja e vlerave të krishtere për ruajtjen e lirisë dhe dinjitetit të kombeve në mbarë botën”.
Ndërkohë, Zeljka Cvijanovic, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, u takua me zv/sekretarin e Shtetit, Christopher Landau. Sipas Departamentit të Shtetit, Landau theksoi interesin e ShBA-së për “zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe theksoi përfundimin e gazsjellësit të Interkoneksionit Jugor si një prioritet strategjik energjetik”.
Më herët këtë muaj, Dodik dhe Babic vizituan Izraelin, ku u takuan me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Gideon Saar.
Dodik, i sanksionuar fillimisht në vitin 2017 për minimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit të vitit 1995 dhe sërish në vitin 2022, u dënua vitin e kaluar me një vit burg dhe iu ndalua angazhimi politik për gjashtë vjet për mosrespektim të mbikëqyrjes ndërkombëtare.
I njohur për retorikën e tij të shpeshtë secesioniste, Dodik ka argumentuar vazhdimisht se Bosnja duhet të miratojë një marrëveshje të re politike ose të ndahet plotësisht.
Marrëveshja e Paqes së Dejtonit e vitit 1995, e cila i dha fund Luftës së Bosnjës, e themeloi Bosnjë e Hercegovinën si shtet të përbërë nga dy entitete, Federata e Bosnjë e Hercegovinës dhe Republikën Srpska. Megjithatë, mosmarrëveshjet mbi interpretimin dhe zbatimin e marrëveshjes mbeten burim tensioni.
Kritikët, përfshirë senatoren demokrate Jeanne Shaheen, e quajtën vendimin e administratës së Trumpit për heqjen e sanksioneve “të pamatur dhe të parakohshëm”, duke përmendur lidhjet e Dodikut me Rusinë dhe duke e akuzuar atë për minimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.
Dodik mbetet nën sanksione nga Mbretëria e Bashkuar.



