BotaKryesoreNdodhi

Mamdani kufizon me urdhër ekzekutiv qasjen e agjentëve të imigracionit në pronën e Nju Jorkut

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që е synon forcimin e mbrojtjes për emigrantët dhe kufizimin e veprimeve të zbatimit të ligjit federal për emigracionin në pronat e qytetit.

Mamdani e njoftoi urdhrin gjatë një fjalimi në një mëngjes ndërfetar, duke e përshkruar atë si një rikonfirmim të gjerë të angazhimit të qytetit ndaj komuniteteve të emigrantëve, mbrojtjes së privatësisë dhe sigurisë publike.

“Po nënshkruaj një urdhër ekzekutiv që do të mbrojë qytetin tonë nga zbatimi abuziv i ligjeve të emigracionit jo vetëm për bashkëqytetarët tanë emigrantë në Nju Jork, por për të gjithë njujorkezët”, tha Mamdani.

Sipas urdhrit, Shërbimi Amerikan i Imigracionit dhe Doganave (ICE) do të ndalohet të hyjë në pronat e qytetit të Nju Jorkut pa një urdhër gjyqësor. Politika zbatohet për objektet e administruara nga qyteti, përfshirë shkollat, strehimoret, spitalet dhe parkingjet.

“Do ta bëjmë të qartë se ICE-ja nuk do të jetë në gjendje të hyjë në pronat e qytetit të Nju Jorkut pa një urdhër gjyqësor. Kjo do të thotë shkollat tona, strehimoret tona, spitalet tona, parkingjet tona”, tha Mamdani.

Urdhri ekzekutiv synon gjithashtu forcimin e masave mbrojtëse për të dhënat personale, duke e ndaluar qasjen e paligjshme nga qeveria federale.

Mamdani tha se masa ka për qëllim të sigurojë që banorët të ndihen të sigurt në përdorimin e shërbimeve të qytetit, pavarësisht statusit të tyre të emigracionit.

“Asnjë njujorkez nuk duhet të ketë frikë të aplikojë për shërbime të qytetit si kujdesi për fëmijët vetëm sepse është emigrant”, shtoi ai.

Urdhri gjithashtu kërkon që agjencitë kryesore të qytetit të respektojnë ligjet ekzistuese të qytetit që rregullojnë ndërveprimet me autoritetet e emigracionit dhe kërkon auditime gjithëpërfshirëse të politikave të agjencive lidhur me zbatimin e ligjeve të emigracionit.

Mamdani tha se urdhri gjithashtu do të krijojë një Komitet Ndëragjencor Reagimi për t’i koordinuar veprimet në nivel qyteti gjatë krizave të mëdha që lidhen me zbatimin e ligjeve të emigracionit. Ky komitet do të shërbejë si një mekanizëm i centralizuar për harmonizimin e politikave dhe komunikimit ndërmjet agjencive.

“Që qeveria të flasë me një zë të vetëm në kohë nevoje”, tha ai.

Artikuj të lidhur

Back to top button