
Prokuroria e Durrësit ka lëshuar dhjetëra masa sigurie pas përfundimit të hetimit lidhur me mbetjet e rrezikshme të nisura nga porti i Durrësit.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për 33 masa sigurie për mbetjet e kompanisë “Kurum” të nisura rreth 1 vit më parë nga porti më i madh në vend, mes të cilëve janë zyrtarë të doganave dhe mjedisit si dhe biznesmenë drejtues të kompanisë.
Nga këto, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.
Më 5 gusht 2024 ‘Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, ngriti alarmin se një anije gjigande kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës ‘Maersk’ u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Network”, BAN, beson se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontejnerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kanë ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut 2024 rreth 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.
102 kontejnerët me mbetjet e dyshuara toksike u rikthyen në portin e Durrësit pas refuzimit të autoriteteve tajlandeze për t’i pranuar ato.



