
Nga Dashnor Kokonozi-
Prej vitesh më kishte mbetur në mendje një lloj « ambiguiteti » në qendrimin e marksistëve ortodoksë të shek. XX ndaj Roza Luksemburgut, një teoriciene e shquar dhe një figurë madhore e socializmit evropian.
Eshtë ajo që deri në fund këmbëngulte se revolucioni nuk ka asnjë kuptim nëse ai nuk respekton të drejtën e fjalës dhe lirinë.
Më kujtohet se një herë pyeta një nga ata marksistët tanë lokalë që edhe ai nuk dinte më shumë, por si në mirbesim më tha se kishte dëgjuar se ajo « kishte thënë diçka jo të mirë për Leninin »
Sot, pas shumë dekadash, m’u kujtua përsëri një gjë e tillë, tek doli nje foto e saj dhe u ula menjëherë të kërkoj, se më besdisin çështjet e pambylluara qofte edhe pas gjysme shekulli. (shpresoj të mos jetë shenjë e fillimit të ndonjë disfunksionimi konjitiv :-)),
Dhe ajo që mësova ishte kjo:
Roza Luksemburgu kishte kritikuar pothuaj të gjithë linjë themelore të teorisë dhe praktikës revolucionare të Leninit, duke u fokusuar në tre akse:
Në organizimin e partisë ajo ishte kryekëput kundër i Ideve centralizuese të Leninit, të cilave u kundërvinte demokracinë e brendshme të partisë në të gjitha nivelet.
Modelin e Leninit ajo e gjykonte si shumë autoritar dhe të ngurtë dhe me kohë kishte shprehur frikën se Komiteti Qendror do të dominonte bazën. (Në Shqipëri dominoi jo vetëm bazën e partisë, por të gijthë vendin)
Ajo paralajmëroi se kjo do ta transformonte partinë në një makinë burokratike dhe militantët e saj do të ishin thjesht ekzekutues.
Dhe, doli pikërisht kështu siç paralajmëroi ajo. Se e keqja ka gjithnjë përparësi.
Në thelb, Luksemburgu nuk kritikon vetëm Leninin si individ apo takticien politik, por një mënyrë të të menduarit për pushtetin dhe organizimin, që më vonë u shndërrua në normë politike edhe jashtë kornizave marksiste. Ajo ç’ka e frikësonte, “burokratizimi i revolucionit” ndodhi kudo ku liria u pa si diçka dytësore ndaj “qëllimit të madh”. Në këtë kuptim, ajo u tregua më “demokratike” se shumë demokratë të mëvonshëm.
Por e kam fjalën gjetiu. Modeli Leninit erdhi dhe veproi dhunshëm edhe në Shqipëri.
A nuk e keni vënë re se edhe sot e kësaj dite ne nuk njohim veçse një model të tillë organizimi centralizues partiak në të gjithë spektrin tonë politik?
Pothuajse çdo strukturë partiake shqiptare, pavarësisht ngjyrës ideologjike, është ndërtuar mbi një model vertikal, ku udhëheqësi luan rol pothuajse sakral. Madje mund të thuhet se mentaliteti “leninist” për strukturimin e pushtetit është bërë kulturor: ai shfaqet në mënyrën si drejtohen jo vetëm partitë, por edhe shoqatat, institucionet, e shpesh edhe vetë marrëdhëniet shoqërore.
Rozën e solla thjesht si një lloj reflektimi personal, si përpjekje për të gjetur origjinën e së keqes për mosfunksionimin e jetës sonë politike.



