BlogEditorialKronikOpinions

Trëndafilat harrohen shpejt, revolveri jo!

Nga Irena Beqiraj-
Në vitin 1974, Marina Abramović qëndronte e palëvizshme në një galeri në Beograd, pranë një tavoline të ngushtë prej druri, mbi të cilën kishte vendosur shtatëdhjetë e dy objekte (një trëndafil , një pendë, bukë, një bisturi, një shishe parfumi, një gotë verë, zinxhirë, mjaltë, gërshërë, madje edhe një pistoletë me një plumb të vetëm), dhe nënshkroi një deklaratë që i jepte publikut të mbledhur lejen për të përdorur në trupin e saj cilindo prej tyre, sipas dëshirës.
Për gjashtë orë ajo nuk lëvizi, nuk foli, dhe as nuk u drodh. Në fillim gjestet e publikut ishin pothuajse lutëse, dukej sikur spektatorët po ndiqnin një rit më tepër sesa një spektakël. Një trëndafil u vendos me kujdes në duart e saj, dikush I krehu flokët, një tjetër shpërndau në ajër parfum sikur të shenjtëronte qetësinë në galeri.
Ndërsa orët zgjateshin atmosfera ndryshoi. Një spektator ia çau pëlhurën e bluzës, një tjetër i shpoi lëkurën me thikë derisa gjaku i rrodhi në formë rruazash të vogla, dhe në fund një burrë e vendosi revolverin në tëmthin e saj
Performanca tregohet shpesh si provë se llaku i qytetërimit është i hollë dhe mizoria shtrihet poshtë tij .
Gjysmë shekulli më vonë, ne jetojmë brenda një versioni të asaj galerie por pa dyer edhe pa orar . Ne hyjmë aty duke qënë njëherazi edhe spektatorë edhe performues . Nëse poston një video të shkurtër rreth librave, një shkrim rreth lidershipit politikës apo dashurisë , ti je në galeri; para publikut janë jo vetëm fjalët e tua fotot e tua , por i gjithë personi yt, jeta jote është aty si një objekt për t’u ekzaminuar edhe vlerësuar .
Instrumentet e përdorura në këtë rast nuk janë trendafila, thika apo revolver, por opinione “të padëmshme” që prodhojnë po të njëjtat rezultate si në eksperimentin e Abrahamoviç -it.
Njerëzit supozojnë se kushdo që shfaqet publikisht dëshiron të jetojë publikisht. Ndaj edhe një qëndrim kundra apo pro i mjafton publikut si provë për të vulosur bindjet e tua, madje të përcaktojë edhe emocionet që i ushqejnë ato .
Për më keq , gatishmëria për t’u përfshirë në debatin publik nuk është gjë tjetër veçse një liçencë që padashur duket se ja ke dhuruar çdokujt për të gjykuar qëllimet , motivet, emocionet, arritjet , dështimet , karakterin tënd . Në momentin që vendos ti shfaqesh publikut, njerëzit i njohin vetes të drejtën për të kërkuar nga ty qëndrime të prera, (kuptohet që rezonojnë me konkluzionet e tyre ) karshi aktivitetit të stërgjyshit tënd .
Oh , nuk ja uroj askujt që ndonjë dashamirës ta shohë a ta propozojë si një figurë të përshtatshme për kryetar bashkie , ministër apo kryeministër . Mjerë kujt i ndodhë ! Pasi po në atë moment, asnjë sekondë më vonë, emri yt është shëndruar në një legen për të mbedhur gjithë djarenë orale të panjohurve .
( Më ka ndodhur një herë edhe u detyrova ta bllokojë dashamirësen )
Ndaj mos u çudisni pse intelektualët gjithmonë i rezistojnë jetës publike , jo nga superioriteti, por nga vetëmbrojtja. Sepse e dinë më mirë se kushdo se në momentin kur distanca e fundit e nevojshme me publikun shembet , ti objektivizohesh edhe njerzit e harrojnë që edhe ti je një njeri. SI në përformancën e Abramović-it , por në këtë rast jo në mënyrë të qëllimtë edhe për më keq pa orar e afat , njeriu që bën jetë publike shëndrohet në një objekt ku çdo mendje e ditur edhe e paditur, e informuar ose jo ka të drejtën e pamohueshme për ta ekzaminuar nga çdo kënd, edhe pas kësaj sipas opinionit ” të gjithësecilit siç mund të meritonte një “trëndafil” meriton edhe “revolverin” tek temthat .
Kjo uri për të pasur opinion për çdokënd, në çdo rast, edhe nëse nuk është dashakeqe është parasociale.
Kur një person trajtohet si objekt, arkitektura e brishtë e empatisë shembet dhe aktet që do të ishin të paimagjinueshme bëhen jo vetëm të mundshme, por, për disa, të papërmbajtshme.
Por trëndafilat harrohet lehtë, revolveri jo.

Artikuj të lidhur

Back to top button