
Me nisjen e Kuvendit të ri në shtator, deputetët kanë filluar të shfrytëzojnë favoret që ju jep mandati për të marrë bonuse dhe financime shtetërore.
Sic rezulton nga dokumentet e siguruara nga Report TV, përfitimet janë përtej pagës apo pagesave për pjesëmarrje në komisione. Vec kuotës për karburant apo telefon, përfaqësuesit e popullit, kanë marrë nga paratë e qytetarëve edhe kompensim për qiratë e tyre në kryeqytet, apo edhe për kuponët me të cilët kanë nxjerrë pasaporta diplomatike.
Për këtë dokument kanë aplikuar 10 deputetë të rinj sipas kësaj liste, por kuponin prej 75 eurosh e kanë blerë me lekët e Kuvendit, dhe jo me të tyret, edhe pse pagat për ta variojnë nga 3000-3500 euro.
Rimbursim pasaportash diplomatike (tetor)
Ani Dyrmishi
Arian Ndoja
Eno Bozdo
Erjon Mile
Kiduina Zaka
Klevis Balliu
Marjana Koçeku
Skënder Pashaj
Zeqine Çaushaj
Zija Ismailaj
Por kompensimi për pasaportat diplomatike nuk është i vetmi që është kërkuar nga deputetët. Të dhënat e siguruara nga Report TV pranë Kuvendit të Shqipërisë, tregojnë se 13 prej tyre paguajnë qiranë me para publike.
Mes emrave bie në sy kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe deputetja e shumëpërfolur socialiste Zegjine Çaushi.
Pagesat për qiranë (Tetor)
Antoneta Dhima PS 350 Euro
Fadil Nasufi PS 350 Euro
Hatixhe Konomi PS 350 Euro
Bledi Çomo PS 116 Euro
Erion Mile PS 350 Euro
Erjona Ismaili PS 290 Euro
Genti Lakollari PS 300 Euro
Ledina Alolli PD 210 Euro
Ramion Kurti PS 338 Euro
Zeqine Çaushi PS 361 Euro
Niko Peleshi PS 350 Euro
Gerta Bardeli PD 350 Euro
Paga bazë e deputetëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur në 2 250 euro neto. Krahas pagës, ata përfitojnë edhe pagesa shtesë për pjesëmarrjen në komisione parlamentare, 170 euro në muaj për shpenzimet e telefonisë, 300–400 euro për karburant, si dhe kompensime për dietat e udhëtimeve brenda dhe jashtë vendit.
Të dhënat e siguruara nga Report TV tregojnë se, vetëm gjatë muajit tetor dhe pa përfshirë pagat, shpenzimet për karburantin e deputetëve arritën në 44 mijë euro, ato për telefoninë në 19 mijë euro, dietat në 139 mijë euro, qiratë në 4 mijë euro, ndërsa pasaportat diplomatike kushtuan 750 euro.



