BlogKryesoreKultureOpinions

Tingulli dhe fjala

Nga Dashnor Kokonozi-

Sigurisht, do ta kem parë në ndonjë cep të kuintave të teatrit të Durrësit, se vinte shpesh aty. Mund edhe t’i kem përkëdhelur flokët, sa kohë që isha i përqendruar të kuptoja çfarë ndodhte në skenë. Ai vetë, Redi, e kujton mirë të atin e tij, aktorin plot talent e inteligjencë Guljelm Radoja, teksa interpretonte personazhin e një drame që rasti deshi të isha unë autori.
E gjitha kjo për të thënë se me Red Radojën mund të isha takuar në nivelin e detit. Veçse rasti deshi që të shiheshim disa mijëra metra lart, në qiell, në bordin e një avioni. Ku edhe kujtuam skenat e mësipërme.
M’u desh t’i kërkoja të kthehej përballë meje, që të më shfaqej portreti i gjallë i të atit, miku im i vyer, Guljelm Radoja.
Me Redin ishte edhe mamaja e tij. Ajo grua e bukur që gjithnjë më ishte fiksuar në mendje pranë të shoqit, ashtu siç i kisha parë gjithmonë: një nga çiftet më simpatikë që kam njohur ndonjëherë në jetë.
“Red Radoja është një pianist e kompozitor shqiptar që bën pjesë te talentet e mëdha që duhen zbuluar…” shkruhej në një faqe web për të, pesëmbëdhjetë vite më parë, kur ai jepte koncertet e tij dhe mbronte një doktoratë për muzikologji në Strasburg.
Që prej atëherë, në salla të njohura e katedrale madhështore, Redi ka bërë shumë rrugë në artin e tij. Me sa di, së fundmi është paraqitur si kompozitor me një opera dhome të titulluar Ëndrra e Gotfridit. Nuk mund të flas gjatë për të, por vërej se specialistët theksojnë se ai është frymëzuar edhe nga muzika tradicionale e vendit të tij. Dhe kjo na përkëdhel nga pak të gjithëve në shpirt.
Këto ditë rri e dëgjoj një disk që ai më dhuroi gjatë takimit tonë në avion. Ka arsye të veçanta pse pikërisht tani. Në të gjenden regjistrime në piano të kompozitorëve barokë, të cilët ai i ka zgjedhur nga areali gjeografik i Alzasës dhe Lorainës, pra nga ato anë ku ka lindur dhe është kristalizuar rituali i festave të fundvitit me dekorin e tyre magjik, ashtu siç i njohim sot.
Muzika baroke njihet edhe si muzikë që haptazi synon të imitojë emocionet njerëzore. Dhe pikërisht për këtë, tingujt e pianos së Redit nuk mund të mos i përfytyroj edhe në linjën e fjalës së bukur poetike të të atit, artistit. Një simbiozë plot kuptim për mua!

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button