
Ambasada Amerikane këshillon qytetarët amerikanë të tregohen vigjilentë dhe të kujdesshëm ndaj protestës së opozitës që do të mbahet sot në orën 18:00.
Në një njoftim sigurie të postuar në faqen e Ambasadës, qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin zonën e protestës, të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit”.
Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt.
Njoftimi i plotë i Ambasadës se Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
Një protestë është planifikuar të zhvillohet të hënën, më 22 dhjetor 2025, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej.
Pritet prani e shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit. Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personeli i Ambasadës së SHBA është këshilluar të shmangë protestën. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për informacionet më të fundit.
Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Udhëzimi ynë i vazhdueshëm është të shmangen zonat e protestave. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale si prioritet. Forconi masat tuaja të sigurisë duke zbatuar zakonet e mëposhtme:
Veprime për t’u ndërmarrë:
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje
Të jeni të vetëdijshëm për rrethinën tuaj
Të kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve në ambiente publike
Të ndiqni mediat lokale
Të keni gjithmonë një plan emergjence ose strategji daljeje
Të mbani një profil të ulët.



