
Mbledhja e Këshillit të Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të vendoset heqja ose jo e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, është shtyrë, pa u lënë një datë për mbledhjen e radhës, shkruan A2 CNN.
Gjatë mbledhjes deputetët pjesëmarrës ranë dakord që të merrnin në dorëzim, për të shqyrtuar provat që Prokuroria e Posaçme ka vënë në dispozicion të tyre në një USB.
A2 CNN mëson se palët janë dakordësuar që deputetët ta marrin USB-në me vete. Fillimisht kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se dokumentacioni nuk duhet të dalë nga mbledhja e Këshillit të Mandateve. Balla u ka thënë demokratëve që provat (USB) ta shohin në mbledhje dhe të mos i marrin me vete. Por me sa duket palët kanë gjetur dakordësinë për të marrë USB-në.
Burime bëjnë me dije se prokurorët kanë sqaruar se materiali i USB-së mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve, duke respektuar procedurat ligjore. Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se Prokuroria ka dhënë dakordësinë që edhe avokati i Ballukut të njihet me provat.
Dosja që SPAK ka përgatitur për të mbështetur kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Ballukut mësohet se është 10 mijë faqe. Për këtë arsye, avokati i saj ka kërkuar që të marrë 3 javë kohë për t’u njohur me të, por SPAK thotë se 5 ditë është koha maksimale.
A2 CNN mëson se Partia Socialiste është dakord me avokatin e Ballukut kërkon që mbledhja të shtyhet për në datë 19 janar, propozim që kundërshtohet nga PD, që kërkon ta zhvillojë të hënën mbledhjen e radhës.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri mësohet të ketë pyetur prokurorin e çështjes, Prençi: “Duke pasur parasysh që e pandehura nuk bashkëpunon sepse nuk jep dorëheqjen madje intimidon dëshmitarët, që qeveria e mbron publikisht, a keni ju personalisht një urgjencë, një afat të arsyeshëm brenda të cilit edhe avokati të njihet me provat, edhe hetimi të mos zvarritet?”.
Ndërsa Prençi është përgjigjur: “Afati mendoj të jetë 3-5 ditë”. I të njëjtit mendim ka qenë edhe prokurorja tjetër Dorina Bejko.
“Kur u bë kjo drejtësia e SPAK-ut, e donit ju ndërsa ne kishim frikë… Ne ende sot kemi problemet tona me SPAK, që janë publike. Ju, me gojën e Edi Ramës vazhdoni thoni ça të kërkojë SPAK, do ia japim pa kushte… Mos më detyroni të njoftoj Edi Ramën që po i shkelni urdhrin duke vonuar SPAK, se e dini ju ç’ju gjen…?”.



