Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën se ta luftosh terrorizmin nuk nënkupton “ta bësh Gazën rrafsh me tokën”, duke iu referuar përgjigjes ushtarake të Izraelit ndaj një sulmi brutal të Hamasit – grupit radikal palestinezë të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – më 7 tetor në Izrael.
“Ne nuk mund ta lejojmë të lëshojë rrënjë idenë se një luftë efikase kundër terrorizmit nënkupton rrafshimin e Gazës, apo sulmimin e popullsisë civile pa dallim”, tha Macron për transmetuesin France 5.
Ai i bëri thirrje Izraelit t’i japë fund “kësaj përgjigje, sepse nuk është e duhura, sepse të gjitha jetët vlejnë njëjtë dhe ne i mbrojmë ato”.
Derisa tha se e njeh të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten dhe për ta luftuar terrorizmin, Macroni theksoi se Franca bën thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe për një armëpushim humanitar.
Lufta më e përgjakshme në Gazë nisi kur Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer rreth 250 të tjerë.
Si përgjigje, Izraeli i nisi menjëherë bombardimet e pareshtura dhe pastaj pushtimin tokësor të enklavës palestineze, duke e rrënuar shumicën e veriut të Gazës, si duke i vrarë gati 20.000 palestinezë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Më shumë se 1.9 milion banorë të Gazës – apo 85 për qind të popullsisë- janë detyruar të të ikin nga shtëpitë e veta dhe të strehohen në jug të enklavës.
Në fillim të dhjetorit, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Izraeli është duke e humbur mbështetjen globale për shkak të bombardimit të pakujdesshëm të Rripit të Gazës dhe i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu ta ndryshojë Qeverinë e tij./REL