BlogEditorialKryesoreOpinions

Politika në sytë e një fëmije

Nga Çapajev Gjokutaj-
Mbrëmë, pas një serë bisedash tip ping-pong mbetëm relativisht gjatë duke diskutuar skenarët e mundshëm të zgjedhjes së kryebashkiakut në Tiranë. Mesa duket po e ngrinim zerin se mbesa e vogël, do dhe pak muaj të bëjë 8 vjeç, me zë ankues ndërhyri: Politikë, politikë, gjithë ditën politikë.
Pyetjes së të ëmës ‘Nga e kupton ti që po flasim për politikë?’, iu përgjigj shkurt e me një ton të dukshëm shpotitës: ‘Berisha, Rama; Rama, Berisha’.
I ati ndërhyri dhe e pyeti: ‘E di ç’është politika?’. ‘E di, – ia ktheu aty për aty – njerëz që i bërtasin njeri-tjetrit’. Qeshëm të gjithë thuajse në kor. Vogëlushja ia kish dalë që me tri fjali të shkurtra edhe të ndërpriste një bisedë disi të tensionuar edhe të vihej në qendër të vemendjes.
Kur ikën fëmijët, unë dhe ime shoqe iu kthyem dhe një herë batutës së mbesës dhe nisëm të numëronim vyrtytet e saj, të para natyrisht me syzat e gjyshërve…😇
Vonë, kur për të thirrur gjumin po vija të dëgjoja një version të zgjatur të Suitë Bergameze, m’u kujtua përcaktimi i mbesës për politikën dhe krejt pa dashje nisa të meditoja për një problem që e kam hasur jo rrallë: fëmijët prej natyre janë kreativë, po shkollat i kemi ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk e nxisin këtë kreativitet, përkundrazi ka të ngjarë që e gjymtojnë.
Dhe pastaj më erdhi ndër mend Sir Ken Robinson, ai britaniku i qeshur që me një fjalim të thjeshtë e të thellë në TED, tronditi themelet e mendimit arsimor modern.
Fëmijët, thoshte ai 20 vjet të shkuara, lindin me një kapacitet të jashtëzakonshëm për të qenë kreativë, por sistemi arsimor, i ndërtuar mbi nevojat e epokës industriale, i mëson të shmangin me çdo kusht gabimet, pra të mos guxojnë, t’i nënshtrohen rregullit dhe t’u japin përparësi lëndëve “serioze” si matematika dhe gjuhët, duke lënë në hije artin, muzikën, lëvizjen.
Robinson e quan këtë një “krizë të kreativitetit” dhe argumenton se shkollat, në vend që ta kultivojnë imagjinatën, shpesh e gjymtojnë. Ndër të tjera rrëfen edhe historinë e një vajzë që nuk rrinte dot ulur në klasë, ndaj mësuesite konsideruan me probleme, derisa një mjek e kuptoi se ajo nuk ishte e sëmurë, por balerinë. Më vonë ‘problemorja’ u bë e njohur pikërisht në skenat e baleteve.
Duke kujtuar të gjitha këto, batuta e mbesës për politikën m’u duk jo thjesht një ndërhyrje e zgjuar, por një akt i pastër kreativiteti: një vëzhgim i mprehtë, një përkufizim ironik, një mënyrë për të rimarrë hapësirën e saj në botën e zhurmshme të të rriturve.
Suita Bergameze rridhte ëmbël po unë as që e dëgjoja. Gjumë për kokë të gjumit kam për të bërë sonte,mendova, gjumë gjithë kreativitet.

Artikuj të lidhur

Back to top button