BlogEditorialKryesoreKulture

MINISTRIA E KULTURËS OSE KOÇI I TETA SOFKËS

Nga Mehmet Elezi-
I.
Para do ditësh gazetarja dhe moderatorja e njohur Beti Njuma shkruante në profilin e saj:

“Eureka, e shpikëm edhe një fjalë të re!
Ministria e Kulturës PREMIERON filma dhe fjalë!
Nuk di si ta quaj, Ministria e Inteligjencës apo Ministria Artificiale!”

Njuma e ve këtë shenim pasi në faqen e Ministrisë së Kulturës ka lexuar:
“’Film di stato’ i Roland Bejkos premieron ne Festivalin e Filmit te Venecias”.

II.
Kjo ministri nuk shpik për herë të parë fjalë të (jo)inteligjencës artificiale. Ka kohë që gjuha e Ministrisë së Kulturës të kujton Koçin e teta Sofkës (te “Zonja nga qyteti”).

Në një tabelë te Muzeu Kombëtar shkruhet: “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizmi i Muzeut Kombëtar”. Kur e komentoi në fb Sami Milloshi, më shkrepi me u argëtue dhe e pyeta programin ChatGPT: mund ta përkthesh në anglisht togfjalëshin muzealizmi i muzeut?

Pjesë nga dialogu me makinën AI:

Ajo: – Nëse më jep pak kontekst (p.sh., nga cila fushë vjen – kritikë arti, histori muzeale, etj.)…

Unë: – Vjen nga fusha e qoftëlargut, sepse në shqip ajo shprehje është pa kuptim. E kanë shkruar te Muzeu Kombetar, i cili është mbyllur për “restaurim, rikonstruksion dhe muzealizim”.

Ajo: – Në këtë rast, togfjalëshi “muzealizimi i muzeut” përdoret (ndoshta pa vetëdije) në mënyrë tautologjike dhe pa kuptim të qartë, ndoshta për t’i dhënë një nuancë “akademike” ose për të mbuluar mungesën e transparencës për mbylljen e muzeut. Kjo dukuri shpesh ndodh kur burokratët përdorin fjalë të mëdha për të mos thënë asgjë konkrete…

III.
Një kronikë në media flet për një pyetësor, prej të cilit del një fakt “më shqetësues”: “Xhubleta dhe Transhumanca, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, janë të panjohura për shumë të rinj”.

Sipas gjasave lajmi është marrë nga Ministria e Kulturës ose nga ndonjë tip OJQ-je sorosiane, që është paguar për pyetësorin. Ç’është “transhumanca”? Siç duket edhe gazetari e ka kopjuar mekanikisht, pa e ditur ç’është “transhumanca” (fjalë frengjisht, me kuptimin dalje në bjeshkë ose bjeshkëtarí).

IV.
As këtu nuk “premjeron” shoqja ministri. Ja një shenim të shkurtë, nga libri “Gjuha shqipe dhe ‘lemëza’” (2024):

Drejt UNESCO-s do të shkojnë katër propozime: vallja e Tropojës, bjeshkimi, dijebërja e xhubletës. Rinis dhe dosja e Eposit… Kështu citon media kumtin e një zëvendësministreje të kulturës.

1. Kumt që s’e kupton kurrkush.
Ç’do të thotë “dijebërje”? Emri “dijebërje” nuk ekziston në asnjë fjalor të gjuhës shqipe dhe në asnjë vis ku flitet shqip. Siç nuk ekziston emri “bjeshkim”.

2. Kumti vijon me informacion të pasaktë, të mangët.
Thotë: “Kënga majekrahu është një prej elementeve… në zonën e Mbishkodrës”.
Jo shoqja ministri, nuk është vetëm në “zonën e Mbishkodrës”. E kanë hapësira të gjera të Veriut Shqiptar, prej Hotit e Grudës, në Malsi të Gjakovës, Plavë, Guci e Rugovë e më tej.

3. Kumti vijon me ngjyra populiste.
Thotë zëvendësministrja: “Elementët do të përzgjidhen nga vetë komunitetet”.
Ngadalë shoqja ministri, “vetë komunitetet” nuk mund të bëjnë përzgjedhje shkencore për UNESCO-n. Shkencën e bëjnë specialistët, studiuesit. Jo “masat”, siç trumbetohej dikur.

4. Kumti vijon me erë marketingu politik.
Në videon ilustruese shkruhet: “Ministria juaj e kulturës”.
Jo shoqja ministri, ministritë janë institucione shtetërore, kanë emër të përcaktuar me ligj. Nuk janë sh.p.k. që u bëjnë publicitet lëngjeve që shesin “për ju”.
Të paktën formalisht, ministria “jonë” e kulturës duhet të jetë serioze. Xhubleta dhe kanga majëkrahu janë vlera thellësisht origjinale, dëshmohen qysh prej ilirëve. Meritojnë trajtim serioz, jo siç u veprua me lahutën.

Me lahutën?
Po, shoqja ministri. Më 2019 lahuta u regjistrua në UNESCO si vegël serbe.
Mund të jetë edhe serbe, filipinase a eskimeze. Por çka s’kundërshtohet dot me argumente, lahuta është po aq shqiptare, ose kryekreje shqiptare.
Ministria e kulturës s’u ndie.
Akademia e shkencave s’u ndie.
Më e pakta, duhej të përgatisnin me urgjencë dosjen me argumente shkencore, që lahuta të regjistrohet edhe si pasuri shqiptare.

Kaq, shoqja ministri plot kulturë!

Artikuj të lidhur

Back to top button