
Nga Irena Beqiraj-
Në Londrën e shekullit të tetëmbëdhjetë, me një qindarkë mund të siguroje një vend në një kafene, një filxhan kafe dhe, mund të bisedoje në një tavolinë ku nuk njihje askënd. Ato tavolina u bënë shpesh hapësira të rëndëshishme të debatit. Shkencëtarët, tregtarët, pamfletistët dhe qytetarët debatonin deri natën vonë për politikën, tregtinë, shkencën dhe filozofinë. Hapsira të tilla, të njohura edhe si “universitete një qindarkëshe”, ishin të hapura për gjithë gamën e gjerë të klasave shoqërore aq sa Charles II u përpoq t’i ndalonte ato. Këto kafene u bënë qendrat e jetës shoqërore dhe intelektuale të Iluminizmit. E pra, idetë që riformëzuan botën monderne lindën në bisedat e këtyre kafeneve, edhe jo në vetminë e studiuesve. Iluminizmi nuk ishte zëri i një mendimtari të vetëm, por kori i ideve të shumë njerëzve.
Idetë e reja zhvillohen, ndahen, inkurajohen ose dekurajohen duke përdorur struktura dhe norma të gjeneruara dhe të kuruara në mënyrë kolektive. Ndaj Émile Durkheim i konsideronte idetë si pjesë e”vetëdijes kolektive” edhe jo thjesht mendime brenda mendjeve individuale. Ato janë pjesë e “jetës të përbashkët mendore” që formohet përmes institucioneve, traditave dhe marrëdhënieve.
Sot rrjetet sociale janë si “kafetë një qindarkëshe” të Londrës së vjetër por fatkeqësisht gjuha që përdorim për të shpjeguar ose për të pyetur, motivimi ose nxitja për të arsyetuar, reaguar apo debatuar, tregojnë se vlerat dhe motivet që sillen rreth nesh nuk prodhojnë më ide, përkundrazi steriliteti i tyre është i frikëshëm.
Nën pakujdesinë e tmerrshme dhe boshe të dhunës politike bashkëkohore, populizimi, polarizimi dhe propaganda kanë zaptuar si lidhjet tona shoqërore ashtu edhe hapësirat e përbashkëta. Ky zaptim shtërpëzues nuk lejon që idetë të socializohen, të testohen, të argumentohen, të kundërshtohen, të formëzohen dhe të përpunohen por përkundrazi na ka lenë mes cinizmit dhe gënjeshtrës; pa përgjigje se çfarë ka mbetur për t’u dashur, për t’u çmuar, apo për të luftuar; Pa një qartësi se çfarë gardhesh dhe urash duhet të ndërtojmë për të mbrojtur lirinë dhe cilat mure duhet të shkatërrojmë.
Populizmi që nuk është gjë tjetër veçse shprehja moderne e qasjes “përça dhe sundo”, ushqen polarizimin. Polarizimi nuk lejon që njërzit të thellohen rreth ideve përkundrazi, e kundërta është e vërtetë . Grupet me besime të kundërta shpesh bëhen jo më pak por më shumë të polarizuara, kur ekspozohen ndaj ideve ndryshe. Ndërsa polarizimi thellohet njërzit bëhen gjithmonë e më të gatshëm të tolerojnë abuzimet me pushtetin dhe të sakrifikojnë parimet pasi vetëm duke vepruar kështu përparojnë interesat e palës ku bëjnë pjesë në kurriz të palëve të tjera.
Ndërkohë që propaganda moderne nuk tenon më vetëm të ndikojë opinionet tona, por ajo punon për të krijuar apati, për të krijuar zemërim, për t’i larguar njërëzit nga sistemi politik, madje për t’i bërë skeptikë ndaj gjithçkaje .
“Zërat më të lartë” nuk përfaqësojnë gjithmonë ata që mendojnë më shumë. Platformat e debateve tona janë të dizenjuara për të lehtësuar reklamimin, angazhimin dhe përshtatjen në vend të debatit të ideve, apo kërkimit të së vërtetës. Rrjedha e përditshme e fjalëve dhe imazheve nuk vjen më si një ftesë për të menduar por më shumë si një kërkesë për të reaguar, apo për të sinjalizuar angazhimin. Dezinformimi përhapet me shpejtësi, zemërimi e mbyt reflektimin dhe nuk është çudi që shumë prej nesh të ndihen të lodhur edhe nga vetë nevoja për ide.
Ndërsa ndjenja jonë e pafuqisë edhe e lodhjes është në gjendjen e saj më akute, vendosmëria për të menduar si një qenie njerëzore, në mënyrë krijuese dhe të guximshme, është e nevojshme . Jo çfarë mendojmë por si mendojmë ka shumë rëndësi.
Idetë nuk janë pasuri për t’u grumbulluar. Ato janë një trashëgimi e përbashkët, janë e mira publike nga e cila varet jeta jonë e përbashkët të cilën shpresojmë ta përmirësojnë për brezat e ardhshëm. Secili prej nesh merr pjesë në jetën shoqërore dhe krijimin e ideve në shkallë të ndryshme Kur ndajmë një artikull, përsërisim një pohim apo sfidojmë një këndvështrim, kur vendosim përkrahim ose jo, të bëhemi pjesë ose jo e populizmit , polarizimit , propagandës ne vendosim të përhapim dritën ose zgjasim errësirën.
Thenë këtë ne nuk jemi spektatorë por protagonistë në lindjen, jetën ose vdekjen e ideve .



