
Nga Dashnor Kokonozi-
Për interesin e madh që paraqet, po sjell nje ese te Ardian Vehbiut, të cilën po e paraprij me një koment timin për të:
Njerëzit e mëdhenj të historisë që kalojnë nga një kamp në tjetrin përfaqësojnë fenomene mjaft interesante për të kuptuar vetë thelbin e qenies njerëzore dhe konfliktin e madh midis institucionit të besnikërisë dhe forcave të tjera të brendshme, të cilat nuk janë të lehta për t’u shpjeguar. Jo më kot Borghesi ndalet tek njëri prej tyre.
Para Droctulft-it dhe Skënderbeut, më ka tërhequr shumë figura e Arminit, i cili u rrit në Romë, u bë ushtarak i shquar romak, mori nënshtetësinë romake (që patjetër ka ekzistuar) dhe më pas u kthye te fiset e tij gjermanike. Në betejën e Teutoburgut i theu rëndë romakët dhe praktikisht ndaloi ekspansionin e Romës në ato anë të Evropës. Gati si të prefiguronte një Skenderbe!
Cilat janë motivet e këtyre njerëzve? Personalisht besoj se motivet personale janë me shume se të pranishme. Historianët romakë përmendin shpesh se një nga shtysat më të forta të Hanibalit për t’iu vërsulur Romës ishte edhe thyerja dhe poshtërimi që ajo i bëri të atit të tij, Hamilkar Barkës. Për këtë, idenë e historianit zviceran O. J. Schmitt mbi motivet e Skenderbeut nuk jam i prirur ta shoh si pagane e te denje per t’ju versulur barbarisht, siç ndodhi dikur.
Po motivet e këtyre gjeneralëve “tradhtarë”, cilat ishin? Nuk do të shtyhesha më tej, po të mos më tërhiqte shprehja e Vehbiut: “gjesti i vetmuar dhe logjikisht i pashpjegueshëm”, e cila përkon me një ide që e ruaj prej kohësh në mendje. Për ta ndarë fjalinë: autori i esesë e sheh si të pamotivuar shpjegimin si “mburoja që iu bë Arbërisë Evropës atëherë, sa kohë që kishte Skënderbeun në krye.” Sigurisht që jo, shtoj unë.
Personalisht, idenë që e sheh Skënderbeun si mbrojtës të krishterimit dhe Evropës e shoh shumë të diskutueshme në planin gjeostrategjik, por ajo, prej shekujsh, ka zhvilluar një jetë të pavarur në planin propagandistik dhe është në përputhje me elokuencën e lartë dhe figuracionin e zgjedhur të Vatikanit për princat aleatë. Edhe Huniadi është cilësuar si mbrojtës dhe atlet i krishtërimit.
E vërteta është se turqit, kur deshën, me ose pa Skënderbeun, zbarkuan në Itali – qoftë në jug, në Otranto, qoftë në veri. Për këtë të dytën flitet pak, por e vërteta është se osmanët kaluan përmes Dalmacisë dhe mbërritën e grabitën deri në dyert e Venedikut.
Pastaj një pyetje mes nesh, çfarë do të mbronin shqiptarët në veri, kur në fund të shekullit XV Greqia ishte e pushtuar tërësisht dhe portet e saj që paraqisnin rrugën më e shkurtër për në Itali, ishin në dorë të turqve?
Pra, idenë e mbrojtësit të Evropës e shoh si të mbidimensionuar që në kohën e saj. Nga zhvillimet historike duket se vetë Porta e Lartë nuk kishte synime të qarta për t’u zgjeruar tej Adriatikut.
Po përse, përse atëherë?
Vehbiu thotë se gjesti i Skëndërbeut “mund të përligjej më shumë me nevojën për ekzistencën e Shqipërisë pesë shekuj më pas.” Kjo frazë, me natyrën e saj të pabesueshme hipotetike (a ishte vallë në gjendje Skënderbeu të kishte një imazh të pozicionit dhe rolit të Shqipërisë pas pesë shekujsh?), përmban megjithatë një thelb interesant, që do ta shohim më tej.
Për mua, që t’i biem shkurt, i afrohemi të vërtetës nëse këtë fenomen e shqyrtojmë në dritën e idesë së Hegelit për “Dredhinë e arsyes” (një koncept për të cilin më janë dashur vite pune për t’ i kapur tërësinë), me të cilën ai shpjegon veprimtarinë e burrave të mëdhenj të epokës. Hegeli ndalet veçanërisht tek Napoleonit, i cili, sipas tij, zhvilloi beteja të mëdha historike thjesht për lavdinë dhe zotërimet e tij, por që në mënyrë të tërthortë ndihmoi në përhapjen e ideve të Revolucionit Francez dhe në shkatërrimin e rendit feudal në shumë vende. Kjo është “dredhia e arsyes”: ajo përdor qëllimet vetjake të individëve të shquar për të arritur objektiva më të larta të zhvillimit të Historisë!
Skënderbeu ishte një gjeneral i suksesshëm por që nuk e shihte të realizuar veten nën hijen e sulltanit. Si të gjithë të tjerët, ishte thjesht rob i tij. Dhe kjo sa kohë që vizionet e tij të fëmijërisë e projektonin në krye të zotërimeve të familjes, por mbase edhe me ambicie që shkonin përtej.
Dredhia e arsyes me sa duket, shtoj unë ka arsye që arsyeja nuk mund t’i arsyetojë!
Ai braktisi Portën e Lartë dhe nisi betejat për qëllime që lidhen me të, në një moment kur idetë ishin ato të epokës feudale, nga të cilat nuk mund të dilte as ai. As kushdo tjetër. Por pikërisht aktet që kreu dhe periudha e luftërave të tij, me të cilat afirmoi edhe një herë veten dhe kufijtë e zotërimeve të veta, do të kishin reperkusion tjetër e të paimagjinueshëm për atë vetë dhe historinë e vendit.
Cilat janë ato?
Te Fenomenologjia e Shpirtit dhe Filozofia e Historisë, Hegeli tregon se të gjitha këto akte të individëve të mëdhenj ndikojnë me kalimin e kohës në zhvillimin e Arsyes universale, e cila ka një qëllim të lartë: realizimin e lirisë dhe vetëdijes në histori.
Sado e çuditshme të duket, Vehbiu – i ndërgjegjshëm apo jo – e ka prekur këtë ide të Hegelit, pikërisht aty ku flet për nevojën “për ekzistencën e Shqipërisë pesë shekuj më pas.” Ajo ide që, një çast më parë, për qëllime shpjegimi, e cilësova si hipotetike.
Në rastin e Skënderbeut, ka të ngjarë që miti i tij të jetë një nga arsyet e ekzistencës së Shqipërisë së sotme.
Ndjesë që u zgjata.
(Me poshte linku i esese se Ardian Vehbiut)
https://peizazhe.com/2025/07/31/midis-skajeve-2/?fbclid=IwY2xjawL5Zc1leHRuA2FlbQIxMQABHnFgnJQFU7zgxdNtGHJX3bIfhQ15-rlNXnpR_f_G4jvO1dLvoqfrbA5clQWs_aem_xCwPI7dtJLOF1qhqGJ4q8g



