BlogKryesoreOpinions

Polemike/ Dy fjalë të gjata për furtunën në gotë që ka ngritur zoti Blushi në lidhje me Arsimin e Lartë në Shqipëri

Nga Artan Trebicka-
Zoti Blushi mundohet, duke shfrytëzuar disa të vërteta, gjysëm të vërteta dhe thashetheme, që të nxijë gjendjen e Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe sidomos të Universiteteve Shtetërore.
Arsimi si gjithë Shqipëria ka problemet e tij që nuk duhen mohuar, por kjo nuk është arsye për ta denigruar. Për të bërë një analizë të shkurtër problemet e arsimit fillojnë me edukimin në familje ku mbetet edhe përgjegjësia kryesore për edukimin e fëmijëve. Po kështu një rol të rëndësishëm luan mjedisi dhe shoqëria. Më pas vijnë gjithë nivelet e arsimit deri në arsimin e lartë. Dua të theksoj dy gjëra këtu: së pari që arsimi sigurisht ka qëllim edhe edukimin, por qëllim kryesor ka dijen dhe të nxënin dhe së dyti Arsimi i Lartë është niveli i fundit i të nxënit dhe është arsim profesional. Çka vjen nga shkolla e mesme nuk mund të përmirësohet në universitet. Një pallat fillon nga themelet (familja), jo nga kati i trembëdhjetë (arsimi i lartë). Pastërtia e ujit të lumit në grykderdhje varet nga pastërtia e ujit në ujëmbledhësin e lumit. Rrethi këtu bëhet vicioz sepse pikërisht kjo prurje do të prodhojë mësuesit dhe profesionistët e ardhshëm. Do bëja kujdes me me ata që quajmë intelektualë. Shkolla e Lartë nuk prodhon intelektualë, por profesionistë, pavarësisht se intelektualët zakonisht janë me shkollë të lartë. Sigurisht, si shkruan edhe zoti Blushi, nuk je profesionist i vërtetë sapo je diplomuar, por përjashtuar raste të veçanta nuk bëhesh dot profesionist pa shkollën e lartë. Shkollën e lartë si domosdoshmëri profesionale nuk e kemi shpikur ne shqiptarët, ne vetëm e kemi kopjuar nga të tjerët. Këtë zoti Blushi besoj se duhet ta dijë mirë. Kur themi profesionistë duhet të kemi kujdes në përdorim fjalës sepse profesionistë janë si hidraulikët apo elektriçistët që përmend zoti Blushi, ashtu edhe inxhinjerët hidroteknikë apo elektrikë.
Por të parët nuk mund të bëjnë dot punën e të dytëve. Megjithatë nuk jam kundër që shumë mund të zgjedhin të bëhen elektriçistë në vend të inxhinjerit elektrik. Shkolla e lartë si rregull nuk duhet të jetë qëllim në vetvehte, por një shkollim për të kënaqur pasionet e individit dhe për t’i krijuar një të ardhme premtuese. Rezultatet e saj nuk maten vetëm me paratë që do marrësh kur do futesh në punë, por me gjithë kënaqësitë që fitohen nga puna. Nëse do matej vetëm me para asnjë nuk do bënte shkencëtarin në botë. Keni dëgjuar për ndonjë shkencëtar të pasuruar nga puna e tij? Kjo në aspektin vetiak të individit, por shkolla e lartë ka edhe një qëllim shoqëror madhor që t’i shërbejë zhvillimit, përparim dhe mbarëvajtjes së vendit. Është pikërisht shteti me politikat e tij që i bashkon këto interesa në shërbim të vendit. Dhe shteti në këtë aspekt duhet të punoj fort.
Të kthehemi tek problemet e arsimit të lartë në Shqipëri. Ulja e numrit të studentëve kryesisht lidhet me probleme demografike se sa me problematikat e Arsimit të Lartë. Nuk është faji i arsimit të lartë që numri i maturantëve në nivel vendi bie çdo vit. Po kështu edhe shpërndarja demografika ka një ndikim shumë të madh. Kur gjithë popullsia e Shqipërisë është shpërngulur e tëra në Tiranë, nuk mund të presim që Universiteti i Korçës të mbushet me studentë. Mos i japim Arsimit të Lartë fajin që nuk i takon. Një tjetër arsye përse numri i studentëve në universitete të veçanta ka rënë ka të bëjë me numrin e universiteteve dhe jo me numrin e maturantëve. Në Shqipëri me 2,7 milion banorë ka 70 institucione të Arsimit të Lartë, nga të cilat 17 shtetërore dhe 53 private. Italia, një nga vendet më të zhvilluara të botës me 60 milion banorë ka gjithsej 97 institucione universitare nga të cilat 67 shtetërore, 19 joshtetërore dhe 11 joshtetërore telematike, ku joshtetëroret nuk janë fitimprurëse si tek ne. Shikoni çfarë raportesh të deformuara kemi si në lidhje me raportin popullsi universitete ashtu edhe me atë universitete shtetërore universitete private. Jemi një katastrofë dhe pastaj ia hedhim fajin shkollës se lartë dhe kryesisht asaj shtetërore. Universitetet shtetërore nuk diskutohete që janë më të mirët që kemi në çdo aspekt. Në krye është pa dyshim Universiteti i Tiranës i ndjekur nga Universiteti Politeknik, Mjekësor, Bujqësor e me radhë. Nuk është aspak e vërtetë zoti Blushi që universitetet private mbeten hapur se janë pak më të mirë. Mbeten hapur sepse janë shumë më të këqinj. Ky është paradoksi shqiptar. Kjo ndodh sepse shumica e studentëve shqiptarë nuk duan dije, por diploma. E duan diplomën për dekoratë, jo për profesion. Nga kjo pikëpamje keni të drejtë zoti Blushi, më mirë të jesh elektriçisht profesionist se sa inxhinjer elektrik me dekoratë. Se sa të mirë janë universitetet private kam përvojën time vetiake, prandaj flas me përgjegjësi për nivelin e tyre. Ku i gjejnë pedagogët universitetet private që qenkan më të mirë?! Përdorin kryesisht pedagogët e universiteteve shtetërore ose si të jashtëm ose mbasi kanë dalë në pension. Dua të theksoj këtu se asnjë pedagog i universiteteve shtetërorë nuk do që të lërë universitetin shtetëror për t’u punësuar në privat. Përse vallë?! Ajo që duhet thënë është që shteti shqiptar favorizon universitetet private. Ata kanë hapur të gjitha llojet e degëve dhe tani së fundi edhe degët e fushës së mjekësisë, duke u bërë shumë tërheqës dhe duke konkuruar pandershmërisht me ato shtetërore. Kjo jo për nivelin e lartë të tyre, por për dëshirën e studentëve për të përfunduar në Gjermani. Mos flasim për shkencën e madhe që ata bëjnë. Nëse në universitetet shtetërorë bëhet shkencë pak, tek privatët bëhet aspak. Ka ndonjë laborator shkencor në universitetet privatë?! Nga ana tjetër duhet pranuar që të bësh shkencë të mirëfilltë në Shqipëri është e vështirë, jo për mungesë kapaciteti njerëzor, por kapaciteti financiar. Shkenca kërkon shumë para, prandaj janë kryesisht vendet më të zhvilluara që e çojnë përpara. Megjithatë duhet thënë që ne përgatisim profesionistë shumë të mirë dhe konkurues edhe në nivel ndërkombëtar. Nga përvoja ime vetiake si profesor në Departamentin e Biologjisë, FSHN, Universiteti i Tiranës më rezulton që të gjithë studentët e mi, të cilëve iu kam dhënë rekomandime për të vazhduar shkollën e lartë, doktoraturën apo filluar punë në vendet perëndimore kanë pasur sukses në aplikimet e tyre dhe nuk janë ndjerë aspak inferior në dije e rezultate ndaj vendasve. Dua të theksoj se kam dhënë shumë rekomandime të tilla. Kjo tregon që niveli i mësimdhënies në Universitetin e Tiranës është i krahasueshëm me universitetet simotra të Evropës.
Për krizën botërore të universiteteve bie dakort me zotin Blushi. Po të mos ishte kështu në Gjermani nuk do të kërkonin mjekë nga Shqipëria. Por ky është gjithashtu një tregues i nivelit shumë të mirë të Universitetit të Mjekësisë.
Pavarësisht nga kriza asnjë universitet në botë nuk i var shpresat e tij tek studentët e huaj, aq më tepër universitetet shqiptare. Studentët e huaj mund të jenë një prurje shtesë, por jo përcaktues në numrin e studentëve. Ne duhet të rregullojmë së pari raportin popullsi universitete dhe universitete shtetërore universitete private dhe së dyti futjen e numrit të mbyllur në rang vendi për degë të caktuara. Atje ku numri është i mbyllur hyrja të bëhet vetëm me konkurs. Duhet hequr dorë nga populizmi që t’i kënaqim të gjithë dhe të mbushim pa kriter degë të caktuara, duke zbrazur të tjera. Arsimi i lartë nuk është i detyrueshëm dhe shteti nuk ka ato detyrimet që ka për arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar dhe arsimin e përgjithshëm, gjimnazin. Shteti i krijon mundësi individëve të ndjekin arsimin e lartë, por nuk ka detyrim që ata ta ndjekin.
Për ta mbyllur, dy fjalë për universitetet dhe studentët në botë, meqë i përmend zoti Blushi me dëshirën që të jenë ata që të mbushin universitetet shqiptare. Universitetet kineze e ato indiane dhe studentët kinezë e indianë janë nga më të mirët në botë. Ata janë studentët më të mirë edhe në perëndim. Ata universitetin e kanë veç të tjerave si mundësi për t’u larguar nga vendi i tyre dhe për të gjetur punë në perëndim, prandaj shkojnë në universitete perëndimore dhe jo në universitetet e tyre, megjithëse këta të fundit në çdo aspekt mund të jenë njësoj apo më të mirë se universitetet perëndimore. Nga kjo del përfundimi që ata nuk kanë arsye të bëjnë universitetin më Shqipëri, përjashtuar raste të llojit Bossi.( Lexoni shkrimin e B.Blushit)
“Nëse duam universitete, duhet të gjejmë studentë”! Ben Blushi: Të hapet tregu ndaj të huajve! Universitetet publike po japin shpirt – privatet janë më mirë, por…
balkanweb.com
“Nëse duam universitete, duhet të gjejmë studentë”! Ben Blushi: Të hapet tregu ndaj të huajve! Universitetet publike po japin shpirt – privatet janë më mirë, por…
Nga Ben Blushi Ku mund t’i gjejnë studentët universitetet tona Gati një vit më parë isha i ftuar për një bisedë me studentë të gjuhë letërsisë në Universitetin e Korçës. Nuk ishin më shumë se 12 nxënës. Njëzet vjet më parë, në atë degë studionin disa qindra djem dhe vajza…

Artikuj të lidhur

Back to top button