
Nga Dashnor Kokonozi-
E famshmja revistë « Revue des deux mondes, e vjetër mëse 200 vjeçare dhe fort e vlerësuar nga De Rada e rilindas të tjerë, sot kishte ribotuar një reportazh të gjatë të A. Lamartinit për një udhëtim të tij në Greqi e madje deri tutje në « Scutari », thotë ai, por duhet kuptuar Ushkudari, një lagje e vjetër e Stambollit.
Lamartini ka qenë edhe vite më parë në “Scutari” dhe e përshkruan atë si një vend magjik meditimi dhe spiritualiteti, me gurët e pafund të varreve dhe qiparisët që bëjnë hije mbi to.
Janë imazhe të humbura përgjithnjë.
Në reportazhin në fjalë, poeti i madh (për takimin e tij me De Radën kam shkruar gjatë dhe një letër të tij që gjendet në Arkivin e shtetit e kam rrutulluar jo pak nëpër duar), flet kalimthi edhe për historinë e marrëdhënieve të dy popujve grekë e turk .
Janë histori të shkuara, por mua më terheqin edhe sepse sjellin fakte jo fort të përmenduara (të paktën për mua) të marrëdhënieve të dy popujve. Grek e turk, pra.
(Shqiptarët ai i përmend shkarazi, bashkë me druzët por si vrasës e plaçkitës të maronitëve, të atyre që ai i quan « svicerianët e Libanit » dhe që Evropa i tradhëtoi e i la në mëshirë të armiqve, gjithnjë sipas tij).
Duke folur për marrjen e ishullit Rodos nga forcat e Sulejmanit të Madh, ishull që mbahej nga një urdhër murgjërish – kalorës që mbronin pelegrinët e Jeruzalemit, që më pas i kam ndeshur kur kam fjetur te një kështjellë e tyre në Spanjë, pra duke folur për ta, Lamartini thotë se turqit u futën në shtëpitë e paprekura të banorëve të Rodosit që kishin ikur dhe as kryqet në ballë të shtëpive të tyre nuk i hoqën.
Se me sa duket as që ishin problem për ta. Për të shtuar pastaj se falë këtij qëndrimi tolerant, në ishull mund të shikoheshin mjaft monumente të mrekullueshme, edhe pas aq shekujsh.
(Kjo për të kuptuar disi ndryshimin e islamit tone – via Turqi- me atë të shtetit islamik qe këmbengulin të infiltrojne ne Shqiperi mullatë, mullenjtë mbase, shqiptarë të paguar nga sauditët. Edhe pse nuk ka nevoje te shkojme deri atje, kishat qindra vjeçare te Beratit, në hijen e keshtjelles se garnizonit turk, flasin vetë)
Dhe meqë kjo punë filloi me Scutar-in, pra Ushkudarin, gjithmonë gjej kohë të dëgjoj një këngë të vjetër që thënë shkurt mban titullin Qatipi i Ushkudarit (nëpunësi i Ushkudarit)
Eshtë një këngë që në sytë e mi ka trajtën e një nyjeje ku lidhën dy kulturat. Natyrisht, nuk kanë munguar ekstremistët e dy krahëve për të thënë se është e jona dhe jo e tyrja. Por askush nuk ka mundur të paraqesë prova bindëse.
Po e sjell në versionin grek e turk bashkë, të kënduar nga Faraja Faraji.
(Më pëlqen pa masë detaji i dy maceve që mban në dorë)
Ajo që di më mirë unë është se grupi Boney M. i ka marë e përdorur motivet e saj për “Rasputinin” me nam.



