
Nga Arben Isaraj-
“Një ditë, një gjyqtar i vjetër i tha një magjistrati të ri:
— Dëgjo biri im, drejtësia është si ora e murit në sallën e gjyqit.
— Pse? — pyeti i riu magjistrat, me kureshtje.
— Sepse të gjithë e shohin… por vetëm ti e di sa e saktë është!
— Dhe çfarë duhet të bëj? — këmbënguli i riu.
— Kujdesu që ajo orë të ecë gjithmonë me mekanizmin e ndershmërisë dhe jo me baterinë.”
Ky rrëfim i shkurtër, me frymë gati proverbiale, ngërthen një koment etik të thellë mbi përgjegjësinë personale dhe pashmangshmërinë e vetmisë morale në ushtrimin e drejtësisë.
Fjalët e gjyqtarit të vjetër janë një metaforë për rolin moral dhe profesional të gjyqtarit si garantues i drejtësisë – jo vetëm në dukje, por në thelb.
“Ora në mur” simbolizon vendimet gjyqësore që janë të dukshme për publikun, për palët, për median. Të gjithë i shohin. Por vetëm gjyqtari i njeh motivet e brendshme, ndërgjegjen dhe arsyetimin që i paraprin vendimit.
Këshilla për ta mbajtur këtë “orë” me “mekanizmin e ndershmërisë” e jo me “baterinë”, është një thirrje për integritet, jo për komoditet. Bateria nënkupton një energji të jashtme, e lehtë për t’u zëvendësuar, shpesh e varur nga rrethana, interesa apo presione të jashtme. Mekanizmi i ndershmërisë është i brendshëm, kërkon përkujdesje, mirëmbajtje dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Në një botë ku drejtësia shpesh matet me perceptime dhe jo me procese të brendshme, ky mesazh i kujton magjistratit të ri se: “vetmia etike e gjyqtarit nuk është dobësi, por përgjegjësi.” Ai nuk mund të kërkojë justifikime jashtë vetes — ai duhet të jetë burimi i drejtësisë që shpall. Prandaj, etikisht, ky rrëfim është – një thirrje për ndërgjegje, integritet dhe vetëdije profesionale.
Në fund të fundit, drejtësia që mbështetet në ndershmëri nuk është vetëm më e saktë, por edhe më e besueshme. Dhe kjo është baza e legjitimitetit të saj.



