Nga Dreni Himbeqa
Grenell ka thënë se Schwartz ka qenë i informuar nga ai privatisht për negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë që po zhvilloheshin në atë kohë rreth Marrëveshjes së Washingtonit, shprehet Richard Grenell.
Emisari i Shteteve të Bashkuara për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka kërkuar që Administrata e Donald Trump, të hetojë e të ndjek penalisht, Bruce Swartz, një ish-zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë.
Sipas Grenell, Swartz, ka minuar politikën e jashtme të SHBA-ve gjatë kohës sa ka punuar në Departamentin e Drejtësisë, madje, sipas tij, ai ka qenë edhe një ndër arsyet pse ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thçait, Gjykata Speciale i ngriti aktakuzë.
Grenell ka thënë se Schwartz ka qenë i informuar nga ai privatisht për negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë që po zhvilloheshin në atë kohë rreth Marrëveshjes së Washingtonit.
“Unë i kam treguar atij informacion privat rreth negociatave dhe ai e ka përdorur atë për të informuar Jack Smith në Hagë – dhe Jack Smith e ka akuzuar Thacin për shkak të kësaj. Ai duhet të hetohet dhe të ndiqet penalisht”, ka shkruar Grenell në platformën sociale, X.
Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Ai po gjykohet për të ashtuquajtura krime lufte si dhe së fundi iu është ngritur edhe një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.