KryesoreKulture

“Korifejtë”, një ftesë e gjithëkohshme për ankorim tek polifonia

Aleksandër Çipa-

“Korifejtë” është botimi më i ri që zë vend bashkë me paralajmërimin vijues për vëllim të dytë, prej autorit Sejmen Gjokoli. Eshtë një enciklopedi profili. Si e tillë, ajo mbart njëherësh një veçanti: ze vend në një mungesë të hershme dhe të tashme, në bibliografinë e folkloristikës shqiptare.
Metodologjikisht kjo enciklopedi profili është sjellë prej autorit përmes një përgatitjete dhe përzgjedhjeje të verifikuar dhe testuar në kohësi prej një audience specifike, sikundër është ajo e polifoni-këndimit dhe e këngë e valle-dashjes shqiptare.
Artistët e sjellë në këtë vëllim, njihen si personazhe reflektuese në jetën etnokulturore të vendit. Janë personalitete me provën e fituar të vlerës dhe jetëgjatësisë interpretuese e krijuese në polifoninë shqiptare. Ata kanë lënë në kujtesën masive të opinionit publik gjithëshqiptar dhe veçanërisht atij të viseve labërore, jo vetëm thjesht disa kulme interpretimi apo suksesi nëpër skena, festivale apo ngjarje kulturore kombëtare, por kanë krijuar një histori të prekshme shkëlqimi dhe emocionimi. Konributi I tyre reflekton vijueshëm edhe pas mosqenies fizike në jetë, ndiesi të fuqishme njerëzore. Ende vijon të rrezëllojë nëpër dekada dhe breza të shoqërisë shqiptare dhe me shkëlqimin dhe nxehtësinë e saj vlerore dhe kuptimore, shërben si një referencë e tejshqueshme e identifikimit dhe krenimit kulturor shqiptar. Këta artistë të kombit, kanë lënë në formën e imazhit, të zërave dhe tingujve, të koreografisë dhe sidomos etnografisë perceptime të gjalla dhe unike për zanafillën tonë arbërore dhe pasurinë tonë etnokulturore.
Prej këtij motivi dhe nën shtytymin e fisëm të këtij “fakti kokëfortë”, kuruesi i zellshëm i grupeve dhe festivaleve të sotme, krijuesi dhe menaxhuesi në aktivizëm të shqueshëm Sejmen Gjokoli, është nisur në përgatitjen e këtij vëllimi të parë të kësaj enciklopedie. Pa droje ky botim mund të përcaktohet edhe si një antologji e korifejve të interpretimit të polifonisë shqiptare. Në syrin e studiuesve apo punëtorëve rigorozë të folkloristikës, kjo mund të shihet si punë e lehtësishme, pasi për këta emra, të cilëve autori u rindërton tekstualisht portretet për kontributin, krijimtarinë, tipologjitë dhe spikatjet individuale, më herët është shkruajtur e flitet nëpër mediumet tona dhe sidomos hapësirat kulturologjike të hapësirës shqiptare. Mirëpo, pasi e ke kaluar me lexim krejt lëndën e këtij libri, vëren se kemi të bëjmë me një tëharje dhe selektim portret-qëndisjeje për seicilin me dashuri dhe aftësi karakterizuese. Autori në asnjë prej teksteve të enciklopedisë për 45 protagonistë apo korifej realë të këngës dhe valles labe, nuk ka mbetur në rutinën vizatuese apo ilustruese. Kujdesshëm ia ka dalë që për artistët e grupeve të famshme me delikatesë dhe sqimë vlerësimi, të evidentojë tipologjitë, karakteristikat e interpretimeve dhe të sukseseve, të marrëëdhënies së tyre me grupet dhe trupat folklorike, por edhe me kontekstin kohor dhe atë të mjediseve interpretuese ku janë sjellë kryevepra, visare, perla dhe materiale të tjera unike prej tyre. Janë figura që u rritën në kohë të ndryshme falë një pune vetiake dhe talenti, në vështirësi dhe mungesa të shumta institucionale dhe shoqërore.
Janë 45 korifej të cilat në harkun kohor të mbi 70 viteve shkëlqyen me prurjet e tyre, duke na lënë një fond dhe repertor unik për trashëgiminë tonë etnokulturore në fushën e interpretimit, në atë të tekstologjisë poetike, në atë të muzikës dhe koreografisë popullore si dhe në raportet me autenticitetin e zbuluar në paraardhje të tyre dhe sidomos, tashmë në këtë kohë pasuese. Këtë element me kujdesin e vet hulumtues dhe njohës autori i enciklopedisë, (në vëllimin e parë të saj) e potencon jo si qëllim në vetvete, por të ilustrueshëm konkretisht në portretet e seicilit prej korifejve.
Duke kaluar nga teksti në tekst, për seicilin prej korifejve, ndien shijen e eseve dhe portreteve publicistike që ndërthuren me zhbirimet studimore të një kërkuesi kulturolog. Kjo lëndë e teksteve të tij tek “Korifejtë” të sjell pikërisht tek e thëna e Tagorës kur flet për ndjenjën që të mishërohet prej artit të cilën ai e sheh si përkatësi. “Të banosh në këtë ndjenjë të përkatësisë në ndërlidhjen e gjërave, është gjëja më afërt që vetja jonë e vdekshme mund të arrijë me një përvojë të pavdekësisë”.
Tek enciklopedia “Korifejtë” 1 e Sejmen Gjokolit, fiton pikërisht edhe ndjenjën, edhe njohjen, për një hise të madhe e të vyer njerëzore si përkatësi. Eshtë fjala për një përkatësi që e fiton si i vdekshëm në raport me një trashëgimi të pavdekshme që na kanë lënë edhe ata që janë ende, (dhe qofshin jetëgjatë!), edhe ata që kanë ikur në amëshim. Madje këta të fundit në këtë botim, ripërmenden e sillen si personazhet e përvojës së pavdekësisë.(!)
Një botim i tillë, në këtë kohë shpërqëndrimesh të mëdha demografike dhe sidomos kulturore, mbart vlerën dhe forcën e një shenje prej fari, ndaj kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare dhe dëshriës së brezave apo edhe kujtdo nëpër botë, për t’iu afruar “ankorimit” tek stereja jonë kulturore.
“Korifejtë” është libri enciklopedik që kryevendoset tek bibliografia për polifoninë shqiptare, për këtë pasuri shkëlqimtare të autenticitetit tonë etnokulturor e çertifikuar tashmë edhe si pasuri për rruzullin.
Sikundër ndodh rëndom ndër njerëzi, që pasuritë lakmohen dhe dëshirohen prej shumëkujt e në veçanti edhe prej fqinjëve, një botim i tillë, i mbështetur prej Këshillit të Qarkut Vlorë, e përfshin edhe vlerën e një qasjeje institucionale.
“Shteti kulturor”, i munguar si koncept për shoqërinë tonë të vogël, (për arsye të mos sendërtimit të rigorozitetit institucional dhe mbrojtjes së aseteve unike të kulturës dhe trashëgimisë sonë me programe “fortifikime” jetëgjata), duhet të vihet në lëvizje përderisa vërehet që Greqia fqinje, gjatë dekadës së fundit për atë që ajo e emërton “polifonia epirote”, jo vetëm që ka shtuar numerikisht festivalet për polifoninë, por ka paracaktuar financime shtesë dhe donacione inkurajuese. Ka disa vite që vendi fqinj pranon jo thjesht si pjesëmarrës apo të ftuar, por si konkurentë etnikë, artistë e polifonë të Shqipërisë, për interpretime polifonike në greqisht. Një traditë e munguar kjo më herët! Madje jo shumë larg në kohë, por edhe para 25 vitesh.
Botime dhe mbështetje të tilla, si në rastin e enciklopedisë “Korifejtë”, tashmë duhen bashkëshoqëruar edhe me sete të qarkullimit online për të qenë në marrëdhënie leximi dhe njohjeje, pse jo edhe dëgjimi, bashkë me veprat dhe interpretimet e korifejve të polifonisë shqiptare. Sepse sikundër e thotë një autore:” Marrëdhënia është e vërteta themelore e kësaj bote të paraqitjes”

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button