Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion, Sula: SPAK-u po godet lart, politikanët në panik, duan ta rrëzojnë

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, e ka konsideruar iniciativën e mazhorancës për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion si përpjekje për të rrëzuar SPAK-un.

Duke folur në një intervistë për mediat, Sula tha se strukturat më të besueshme në vend të luftës ndaj korrupsionit është SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërkohë sipas tij mazhoranca kërkon ta rrëzojë. Ai vuri në dukje se sistemi i drejtësisë ka probleme por nuk duhet prekur SPAK-u dhe GJKKO-ja.

“Nuk ka moral kjo gjë që në 11 vite çdo kapilar i administratës ka probleme të thella, të rënda të korrupsionit ne themi që do ta luftojmë atë. Pse ky komision do ta luftojë? Problemi cili është? Ligji ka, ligje bëhen, a ka njerëz, a ka vullnet politik për të luftuar korrupsionin? SPAK-u dhe GJKKO është 1/10 e sistemit të drejtësisë. Sistemi i drejtësisë ka probleme. Dosja të pagjykuara dhe shumë të tjera të pa hetuara. Por i vetmi institucion sot i drejtësisë është SPAK-u dhe GJKKO-ja ku qytetarët dhe ndërkombëtarët e vlerësojnë. 75 për qind e shqiptarëve besojnë te SPAK-u”, deklaroi ai.

Deputeti demokrat theksoi më tej se kur vetë institucionet si SPAK dhe GJKKO nuk e kërkojnë një komision të tillë apo për t’u vetëkorrigjuar, atëherë sipas Sulës, për çfarë duhet ky komision Antikorrupsion.

Sula shpjegoi se kjo bëhet pasi SPAK po godet në nivele të larta të politikës dhe politikanët po kërkojnë ta rrëzojnë.

“Kur vetë institucionet nuk e kërkojnë një gjë të tillë për çfarë do të duhet ky komision i posaçëm thuhet se do t’i thërresë drejtuesit e SPAK. SPAK-u po përpiqet të ecë përpara këta po përpiqen ta rrëzojnë dhe kjo është e tmerrshme. Është për të ngritur zërin. Nëse mazhoranca garanton se nuk do të ketë ndërhyrje te SPAK-u dhe GJKKO-ja duke përjashtuar këto dy institucione dhe të shohë problematikat e institucioneve të tjera, jam dakord, por jo nën emrin e diskutimit dhe debatit, ndodh tjetër gjë. Kështu ndodhi edhe me amnistinë për të cilën jam bërë pishman që e kam votuar. SPAK-u ka arritur në nivele të larta të ndëshkimit të politikanëve dhe shqetësimi është i politikanëve të djeshëm dhe të sotëm të cilët kanë frikë nga pavarësia e SPAK-ut”, nënvizoi Sula.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button