BlogKryesoreKulture

Ese mbi poezinë: “Çdokush shkel hijen e vet” A. Çipa

Nga Klara Buda

 

“Çdokush shkel hijen e vet”, mund të lexohet si : aktet tona formësojnë kujtimin që lëmë. Në këtë optikë çdokush shkel hijen e vet do të thotë se ne jemi produkt i raportit mes dritës dhe errësirës sonë.  ‘Hija’ mendoj se është një metaforë e dyfishtë, kujtimi që lëmë apo prezenca abstrakte e individit tonë në përgjithësi, por edhe pjesa jonë më e errët*. Ajo tingëllon po aq fuqishëm sa aforizma kult : “gjithkush mban kryqin e vet” KB

Ese mbi poezinë: “Çdokush shkel hijen e vet” nga Aleksandër Çipa

Çdokush shkel hijen e vet
Tani që nuk je,…
…,kryq e tërthor i bie vetmisë.
Nuk më rresht dëshira të përplasem me ty!
Por në vetmi,
Këmba përherë, shkel vetëm hijen tënde!
Aleksader Çipa

“Çdokush shkel hijen e vet” është një titull që godet menjëherë. I ngjeshur dhe i thukët, ai tingëllon si aforizëm poetik. Me të poeti sugjeron se askush nuk i shpëton vetvetes dhe as hijes së vet, që është vetë ndërgjegjja, kujtesa, pesha e gabimeve, e dashurive apo humbjeve të pashlyeshme, por edhe pjesa jonë më e errët*.

Hija, si një metaforë e kujtimit: e padukshme, por e pandashme, ajo ecën me njeriun dhe e ndjek kudo, dhe më e rëndësishmja eshtë pikërisht ajo që ngelet prej tij dhe pas tij.

“Çdokush shkel hijen e vet”, mund të lexohet si : aktet tona formësojnë kujtimin që lëmë. Në këtë optikë çdokush shkel hijen e vet do të thotë se ne jemi produkt i raportit mes dritës dhe errësirës sonë.  ‘Hija’ mendoj se është një metaforë e dyfishtë, kujtimi që lëmë apo prezenca abstrakte e individit tonë në përgjithësi, por edhe pjesa jonë më e errët*. Ajo tingëllon po aq fuqishëm sa aforizma kult : “gjithkush mban kryqin e vet”!

Poezia zhvillohet më tej në një peizazh emocional të mungesës dhe vetmisë, ku hija e tjetrit është i vetmi mik i mbetur. Pas një humbjeje – qoftë kjo ndarje apo vdekje – gjithçka që mbetet është kujtimi, pra hija.

Në mungesë të kontaktit real, uni lirik endet “kryq e tërthor në vetmi”, një imazh që përçon çoroditje dhe përpjekje të dëshpëruar për të mbushur boshllëkun. Vargu “Nuk më rresht dëshira të përplasem me ty” shënon një kulm emocional, ku nevoja për përballje kthehet në tension të papërmbajtur. Është një dëshirë që nuk shuhet dot, një luftë e heshtur me një mungesë të papërballueshme**.

Dhe megjithatë, kjo përplasje mbetet e pamundur. Sepse në fund të fundit, “këmba përherë, shkel vetëm hijen tënde”. Ky është një përfundim i hidhur, por edhe i bukur në thjeshtësinë dhe forcën e tij poetike. Ai përmbledh të gjithë dimensionin emocional të poezisë: çdo përpjekje për t’u afruar, çdo rrugë drejt tjetrit, përfundon përballë një kujtimi që nuk kthehet dot më në trup.

Në fund, hija është ajo që mbetet kur gjithçka tjetër ikën dhe paradoksalisht në këtë kendvështrim kujtimi eshtë më i rëndësishëm se vetë qenia! Pasi kjo e fundit është efemere ndërkohë që kujtimi I mbijeton asaj!

Vargjet ecin si një rrëfim i brendshëm, i përmbajtur dhe i ngjeshur, por tejet njerëzor. Aftësia për të thënë kaq shumë në aq pak rrjeshta është ajo që e bën këtë poezi shumë të fuqishme.

Dy koncepte – dy kendveshtrime 

2. Hija si metaforë e kujtimit 

Hija këtu është shumë më tepër se një element i natyrës – ajo është metafora e kujtimit, e asaj që mbetet nga dikush kur prania e tij fizike është zhdukur. Kujtimi, si hija, është i heshtur, por gjithnjë i pranishëm. Nuk mund ta përqafosh, por as ta shmangësh. Ai ecën me ne, na paraprin e na ndjek, duke qenë në të njëjtën kohë dritë e errësirë. Dhe më në fund është ai që mbetet.

Është një përfundim i hidhur, por edhe i bukur në mënyrën se si shpreh robërimin emocional: çdo rrugë, çdo përpjekje për të ikur, (vetes, si akte të vetes, apo të dikujt tjetër) përfundon në të njëjtin vend – përballë imazhit tend apo asaj që do të kujtohet nga ty, por edhe hijes së dikujt që nuk është më. Sepse në fund, hija është kujtimi që nuk vdes kurrë.

 

2. Lexim sipas arketipit të hijes në psikologjinë analitike të Carl Jung-ut

Në poezinë “Çdokush shkel hijen e vet”, hija nuk është vetëm një imazh i jashtëm, por një simbol i fuqishëm psikologjik. Duke u nisur nga koncepti i hijes në psikologjinë analitike të Carl Jung, kjo poezi mund të lexohet edhe si një përballje intime me vetveten e fshehur, atë pjesë të errët, të mohuar, të padukshme, që secili njeri e mban brenda vetes. Sipas Jung-ut, hija përfaqëson instinktet, emocionet e papranuara, frikërat, fajet apo dëshirat që mendja jonë i shtyp dhe i mban larg vetëdijes. Por ato nuk zhduken. Përkundrazi, si në këtë poezi, ato rikthehen për të na përndjekur, shpesh në momente vetmie apo humbjeje.

Titulli apo edhe si vargu i parë “Çdokush shkel hijen e vet” është edhe një aforizëm poetik me ngarkesë jungiane. Ai na sugjeron se askush nuk i shpëton hijes së vet — çdo hap që hedhim është një përplasje me atë që fshehim. Në mungesë të tjetrit, të dashurit, vetë hija e tij bëhet gjithçka që mbetet, një reflektim i të kaluarës, i dhimbjes, por edhe i vetes sonë. Poezia na kujton se në fund, përmes kujtesës, ne përballemi jo vetëm me ata që kemi humbur, por edhe me veten tonë më të thellë me hijen tonë.

* këtë koncept do ta trajtojmë më vete, sipas arketipit te hijes në psikologjinë analitike të Carl Jung-ut, këtu më lart 2

** sipas Jung-ut, përballje me pjesën tonë te errët, këtu më lart 2.

Artikuj të lidhur

Back to top button