Në pesë kryqëzime të Tiranës, janë nga 15 deri në 20 protestues për çdo vend dhe nga 100 deri në 200 policë. Maksimumi 100 veprimtarë të opozitës kanë bllokuar qarkullimin rrugor në kryeqytet, duke e zhytur atë në kaos me ndihmën e policisë, pasi në çdo kryqëzim ka pasur më shumë policë sesa protestues.
Nëse policia nuk shkon për të zhbllokuar trafikun, mbetet e paqartë pse shkon fare. Ata 100 persona që ka nxjerrë Berisha në rrugë nuk kanë kapacitet të bëjnë më shumë sesa bllokimin e trafikut.
Nëse policia u lejon të kryejnë këtë vepër penale, atëherë prania e tyre është e kotë, pasi fytyrat e protestuesve mund të identifikohen lehtësisht nga kamerat për procedim të mëtejshëm.
Detyra kryesore e policisë është të zhbllokojë trafikun. Përndryshe, prania e tyre në terren vetëm sa e shton numrin e njerëzve të pranishëm në kryqëzime, duke krijuar iluzionin e një proteste më të madhe sesa realisht është.
Opozita është e qartë në objektivin e saj: ajo dëshiron të hakmerret ndaj qytetarëve që nuk e mbështesin. Problemi kryesor qëndron te fakti se policia lë fatin e qytetarëve në duart e një grushti protestuesish.
Nëse policia nuk është në gjendje të zhbllokojë kryqëzimet, më mirë të kthehen në komisariate, sepse me këtë qasje nuk mund t’i japin asnjë zgjidhje situatës në kryeqytet.