BlogEditorialKryesore

MARRËZIA SI ZGJUESE NË HISTORI

Nga Foti Cici-
Ajo që sot shquhet e quhet “sëmundje mendore”, në historinë kulturore të njerëzimit është rrokur e cilësuar si “marrëzi”.
Pavarësisht keqkuptimit, keqtrajtimit, vrasjes a përjashtimit të “të marrëve” nga bashkësia fetare dhe shoqërore, të shumtët e paditur kanë vëzhguar e ndierë se disa prej “të marrëve” kishin thënie dhe bëma që i bënin të dobishëm për komunitetin dhe të domosdoshëm për shoqërinë ku përkisnin.
Me këtë përqasje, marrëzia ka shërbyer edhe si mjet ndërgjegjësimi, si zgjuese dhe mësuese në histori. Këtë e gjejmë të dëshmuar në literaturën e lashtësisë, të mesjetës e deri vonë. E gjejmë në historinë e filozofëve, si dhe në historinë e etërve e nënave të spiritualitetit.
Le të qëmtojmë dy shembuj shumë të largët nga njëri-tjetri në histori, por farefisnorë në parashtrimin tonë.
Filozofi i madh i lashtësisë, Diogjeni (vdiq në vitin 323 para Krishtit), ishte i pastrehë dhe lypsar. Flinte e hante ku të mundej dhe bënte e thoshte gjëra jashtë normave të shoqërisë, edhe pse i kishte mundësitë për të jetuar normalisht. Bëma më e madhe ishte kur kërkonte njerëz me fanar të ndezur në mes të ditës dhe në mes të turmës së njerëzve!
Në vitin 1570 Ivani i Tmerrshëm (Car Ivani IV) ndërmori një ekspeditë për të shtypur Novgorodin në Rusi. Kur shkoi atje dhe teksa kryheshin vrasje të shumta me urdhër të tij, kërkoi t’i sillnin Nikollën e Pskovit, i quajtur “i marri në Krisht”. I marri i vuri carit në dorë një copë mishi të gjallë që pikonte gjak, në mënyrë që gjakatari të përmendej për krimet që po kryente.
* * *
Këndvështrimi i mësipërm ku “marrëzia” ndriçon e zgjon, nuk ekziston në shoqëri të shtypura nga regjime çnjerëzore, siç ishte regjimi ateist në Shqipërinë e shekullit të kaluar, apo Korea e Veriut sot.
Në kultura të atjembetura, siç është shoqëria shqiptare sot, “i marri” është “i çmendur”, prandaj dhe duhet gishtshenjuar, përjashtuar dhe “çarmatosur” nga fuqia e fjalës dhe ndikimit.
Paragjykimi për sëmundjet mendore vijon ende i patrazuar në shpirtin dhe gojën e shumicës së shqiptarëve, sidomos në qytete të vogla e fshatra. Kjo këmbëngulje e sëmurë përjashton trajtimin e traumave grupore të trashëguara e të përftuara, gjë që vonon ndërgjegjësimin, mbarëvajtjen, integrimin dhe mirëqenien tonë.
Dhe megjithatë, rizbulimi i Parashqevi Simakut këto ditë, ku qerthulli i çmalljes popullore ka ngecur në mallëngjim, ka ndihmuar një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare për të pranuar jo vetëm cilësimin dhe terminologjinë e pranueshme, larg “marrëzisë” dhe “çmendjes” së mëparshme brendashqiptare, por vetë realitetin e fatit të përbashkët njerëzor. Dashje-padashje, ky rast po shërben si zgjim dhe ndërgjegjësim i një shoqërie me trauma të pazgjidhura.
Për herë të parë shqiptarët po flasin masivisht dhe publikisht për shëndetin mendor me arsye, sinqeritet dhe maturi. Një emër i madh shqiptar po shërben si figurë-model për të ndihmuar një shoqëri të prapambetur.
Faleminderit, Parashqevi Simaku!
* * *
Në gjithë këtë larmi opinionesh, të mirëfillta e përsëritëse, në gjithë këtë hyjnajë përgjërimesh a porosish, në gjithë këtë zhurmënajë zërash që thërrasin fort, a ka vend për të thënë diçka tjetër, apo shans për t’u dëgjuar?
Publikimi i kësaj dukurie me skena e fjalë, pavarësisht ngërçit që shkakton, na ndihmon të vëzhgojmë e të përsiatemi.
Parashqevia i tha bamirësit dhe kujdestarit të saj, Elton Ilirjanit, se jetën nuk ia shkatërroi ish-bashkëshorti apo djali i saj, por shqiptarët!
Fjalë e rëndë! Sa e sa shqiptarë të mirë e të lartë e kanë thënë këtë të vërtetë…
Përse shqiptari e urren shqiptarin?
Përse shqiptarit i shijon t’i bëjë keq shqiptarit?
Shumica dërrmuese e shqiptarëve që kanë pësuar e rënë do ta pranonin, nëse janë të sinqertë, se ata që i kanë lënduar e shkatërruar nuk ishin të huaj, por shqiptarë!
Përse kombet e tjerë në Ballkan kanë më pak ligësi dhe urrejtje ndaj njëri-tjetrit, krahasimisht me realitetin brendashqiptar?
Këto janë pyetje pa përgjigje, përsa shoqëria shqiptare vijon e atjembetur dhe e qerthulluar në ligësinë e trashëguar dhe të përftuar vendore.
Ishte pikërisht kjo cilësi grupore që ushqeu dhe rrënjosi një regjim çnjerëzor, duke e bërë komunizmin më të suksesshëm dhe më afatgjatë në Shqipëri.
Ligësinë nuk e solli komunizmi, por e gjeti midis nesh, ashtu siç e rigjetëm edhe ne në diasporë pas rënies së komunizmit, te shqiptarët e vjetër, madje më tepër tek ato grupime që hiqeshin si të djathtë e çirreshin si antikomunistë.
* * *
Sado shkurt që t’i biem, kjo temë nuk të lë ta mbyllësh.
Përse Parashqevia i shmangu fort dhe për shumë vjet burrat dhe gratë shqiptare që u përpoqën ta nxirrnin nga rruga, por iu bind zemrës së një shqiptari të huaj e “të pagjinishëm”?
Le të kujtojmë se ata burra dhe ato gra shqiptare ishin të afërm, miq, kolegë e të njohur të saj, ndërsa Eltoni ishte krejt i panjohur. Brenda kësaj historie shqiptare ekziston një jetëshkrim femëror, i cili ndoshta nuk do të zbardhet kurrë.
Në një kulturë ku mungonte flirtimi, në një vend pa edukim seksual në shkollë dhe në një regjim pa struktura mbrojtëse dhe shërimore për viktimat e abuzimit seksual, vështirë të gjendet sot një grua shqiptare që nuk është ngacmuar a abuzuar seksualisht gjatë diktaturës në Shqipëri, aq më tepër në fushën e artit.
Përveç fobisë mashkullore shqiptare të përfytyruar, pra, tani na doli se ekzistonin edhe smirat dhe armiqësitë e rivalitetit, nga kolegë të të dy gjinive, gjë që shkaktoi ndarjen nga bashkëshorti dhe rrënimin e saj.
Nën trysninë e kësaj historie të dhimbshme dhe me këto thërrmija të ëmbëlhidhura, le të shpresojmë dhe të urojmë me gjithë zemër shërim të plotë të Parashqevi Simakut dhe vazhdim të debatit mbi shëndetin mendor dhe cilësinë brendashqiptare!

Artikuj të lidhur

Back to top button