”Plani franko-gjerman shansi i fundit për t’i dhënë problemit mes Kosovës dhe Serbisë”

Lideri serb i Partisë Demokratike Liberale, Çedomir Jovanoviç, ka thënë se propozimi franko-gjerman që i është ofruar Kosovës dhe Serbisë, “është shansi i fundit për t’i dhënë fund problemit mes shteteve”.

“Koha që kaluam duke refuzuar propozimet e mëparshme e bëri këtë shoqëri më të palumturin në Evropë, ndaj sot po mbytemi në nacionalizmin, i cili na ka shkatërruar ne dhe të gjithë rreth nesh.

Çdo zgjidhje e ardhshme do të jetë më pak e favorshme për Serbinë, veçanërisht në një periudhë kur Evropa do të jetë e preokupuar me problemet e veta, pa shumë dëshirë të merret me Ballkanin dhe fatkeqësinë tonë”, shkroi Jovanoviç në Facebook.

Ai ka theksuar se “sot askush nuk duhet të tërhiqet para sulmit të më të këqijve në Serbi”, duke shtuar se “tashmë po grupohen për të na bërë të ditur edhe një herë se Beogradi nuk do ta japë më Kosovën dhe se kushdo që përpiqet të bëjë diçka normale dhe të arsyeshme është tradhtar”.

“Kjo është çështje e mbijetesës apo margjinalizimit të Serbisë, e cila është një vend në zhdukje si pa Kosovën ashtu edhe me të”.

Jovanoviç në një intervistë për Albanian Post më 15 janar pati theksuar se është i zhgënjyer, meqë pati thënë se Serbia ka 30 vjet që i zgjedh gabimisht prioritetet dhe miqtë e saj.

Kur kishte folur për idenë e “Serbisë së Madhe”, Jovanviç ka theksuar se ka mbetur vetëm një shaka bajate, derisa ka potencuar se komuniteti serb në Kosovë e ka identifikuar ekzistencën e vet me ide të gabuara, të cilat në fund u kushtojnë shumë vetëm atyre që me naivitet besojnë se ndonjërit nga ekstremistët në Beograd i intereson se si jetojnë dhe cilat janë problemet e tyre reale”.

“Nga ideja e ‘Serbisë së Madhe’, e cila me të vërtetë dukej e frikshme në fuqinë dhe kapacitetin e saj të plotë, mbeti vetëm një shaka bajate që ritregohet nga nacionalistët serbë, të cilët përfundimisht u bënë thjesht ekzibicionistë dhe frikësues buzë rrugës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen + fifteen =