Si u bë miliarder Flamur Noka që sot synon numrin dy të Foltores?

Flamur Noka, deputeti i Partisë Demokratike, ka qenë ndër të parët që i ka dalë në mbështetje ish-kryeministrit Sali Berisha në muajin shtator, pas vendimit të Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së.

Noka dha gjithë mbështetjen e tij, duke e shoqëruar Berishën në takimet e Foltores në pothuajse të gjitha qytetet.

Në këmbim të kësaj mbështetjeje, Noka po kërkon pozicionin e numrit dy në Partinë Demokratike.

Rrugëtimi i Nokës në PD ka nisur nga roje në PD për t’u bërë më pas Ministër i Brendshëm.

Apo edhe nga një student i varfër i shndërruar në miliarder që nëse do të kishte një Vetting në politikë, Noka do të përballej me barrën e provës për të justifikuar pasurinë.

Nga një vëzhgim që kemi bërë në deklaratat e pasurisë së tij të depozituara në ILDKPKI, nga viti 2012 deri në vitin 2021, rezulton se pasuria e tij e deklaruar, pra patundshmëri dhe tundshmëri, ka një vlerë më të lartë se të ardhurat e deklaruara prej tij.

Noka është akuzuar nga kundërshtarët e tij politikë se ka pasuri në Gjirin e Lalzit, të cilën nuk e ka deklaruar.

Shtimin e pasurisë Noka e ka realizuar në vitin 2012, në kohën që u emërua Ministër i Brendshëm, me blerjen e një apartamenti te një pallat pranë Liqenit Artificial.

Noka deklaron se e ka blerë me kredi sociale, ndërkohë që kreditë sociale janë për kategorinë e qytetarëve që nuk janë në kushtet e Nokës.

Noka deklaron tri burime të ardhurash, si dhe blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 190 m2, vlerë 151 000 euro, Rr. “Sami Frashëri”, Tiranë, nëpërmjet një kontrate shitblerjeje dhe transferim kredie 5 000 000 lekë nga Enti Kombëtar i Banesave.

Bëhet fjalë për një pallat të shumëdebatuar nga spektri politik për lejen e ndërtimit të dhënë nga Edi Rama, në kohën që ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Leje e cila më pas u tolerua nga ish-kryeministri Sali Berisha, pas ndërhyrjes së Nokës.

Në zonën ku Noka thotë se  ka blerë apartamentin çmimet janë tri herë më të shtrenjta se ç’deklaron ai. Një apartament në rrugën “Sami Frashëri”, që ndodhet pranë Liqenit Artificial, me të njëjtën sipërfaqe që deklaron Noka, shkon të paktën 500 mijë euro.

Pra, bëhet fjalë për një pasuri që nuk mund ta vendosësh kurrë me të ardhurat që ai deklaron në vitin 2012 dhe as me kredi sociale.

Një vit më vonë, në 2013, Noka ka deklaruar se ka blerë një garazh me sipërfaqe 70 metra katrorë, çmimi i të cilit shkon në 22.400 euro. Deputeti demokrat në po të njëjtin vit ka shitur edhe një makinë të tipit “Mitsubish” me vlerë 3000 euro dhe blerjen e një tjetër automjeti të tipit “Golf” nga bashkëshortja.

Të ardhurat si deputet i Kuvendit në vitin 2013 për Flamur Nokën kapin vlerën e 668.454 lekëve. Ai deklaron se ka përfituar pagesë kalimtare pranë DRSSH-së, me vlerë 62.965 lekë.

Në vitin 2014 ka bërë pushim nga shtimi i pasurisë, ndërsa në vitin 2015,  ish-Ministri i Brendshëm ka blerë një automjet 40 mijë euro, ndërsa të ardhurat e tij zyrtare shkojnë rreth 2 milionë e 4 mijë lek të reja në vit. Një automjet kaq i shtrenjtë, normalisht nuk blihet me kredi, por ke të ardhura të mjaftueshme.

Në vitin 2015, “fati” do t’i buzëqeshë deputetit të PD-së.

Në këtë vit, Noka ka shitur një automjet për 7000 euro për të blerë një tjetër, vlera e të cilit shkon 40.000 euro. Për burim të ardhurash, ai deklaron se ka marrë 30 mijë euro kredi, ndërsa 10 mijë euro i ka siguruar nga shitja e një automjeti në vitin 2011.

Demokrati deklaron gjithashtu edhe ekzistencën e disa llogarive bankare, gjendja e të cilave ka pësuar rritje.

Llogaritë që Noka deklaron janë: 17.021; 3.010.984; 1.648.425; 150.700.

Të ardhururat si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Noka ka deklaruar 2.431.949 lekë.

Noka ka deklaruar se e ka rishitur garazhin me vlerë 1.000.000 lekë.

Në vitin 2016, deputeti i PD-së ka deklaruar llogari rrjedhëse me vlerë 437.96 lekë, si dhe pagën si deputet me vlerë 2.512.682 lekë.

Në vitin 2017, Noka deklaron se ka shitur makinën e tij “Wolkswagen” me vlerë 2500 euro, llogari page me vlerë 53.407.32 lekë.

Ndërsa të ardhurat si deputet dhe nga dietat kapin vlerën e 2.344.899 lekëve.

Llogaria e pagesës në vitin 2018 sipas deklarimeve të Nokës, do të kapte vlerën e 85.096.42 lekëve, ndërsa dispozitat në lekë në një bankë të nivelit të dytë kapin vlerën e 137.426.65 lekëve. Të ardhurat e tij si deputet kapin vlerën e 2.270.070 lekëve.

Deklarimi i fundit që Noka ka bërë ka qenë ai i vitit 2021, para marrjes së detyrës si deputet.

Të ardhurat pranë Sigurimeve Shoqërore në këtë vit kapin vlerën e 578.306 lekëve. Interesa nga obligacionet për periudhën 01.01.2021-10.09.2021 kapin vlerën e 110.242.12 lekëve./CNA.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × three =