SPAK kërkon si dëshmitar Nuredin Dumanin dhe Henrik Hoxhajn per vrasjet në Elbasan,

Gjykata e Posaçme çeli këtë të hënë procesin gjyqësor ndaj Erion Alibejt, Xhuliano Hoxhës dhe Euglen Halilit, të akuzuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, korrikun e vitit 2020 në Elbasan.

Sipas prokurorisë, organizator i vrasjeve dhe porositës i tyre, dyshohet se është Erjon Alibej.

Shkak kanë qenë dyshimet se viktimat ishin të përfshirë në ekzekutimin e vëllait dhe xhaxhait në masakarën e Bradasheshit në dhjetor 2018.

Në kërkesën për prova, SPAK kërkoi pyetjen e 24 dëshmitarëve, mes të cilëve edhe Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, të penduarit e drejtësisë në dosjen “Golden Bullet”.

Avokatët e të pandehurve pretenduan mospërputhje të deklarimeve të të penduarve Halili, Hoxhaj e Dumani për të njëjtat episode kriminale.

Prokurori i çështjes, tha se i qëndronte deklarimeve të dhëna nga Euglen Halili.

“Shteti sajoi prova e dëshmi ndërsa procesi është i montuar. Dëshmitarët e drejtësisë janë 4 dhe thonë versione të ndryshme”, tha avokati i Alibej.

Vrasja me armë e Emiljano Ramazanit ndodhi më datë 20 korrik 2020.

39-vjeçari po parkonte makinën e tij mes pallateve pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i luleve” në hyrje të qytetit.

Atij iu afrua një person dhe e qëlloi për vdekje 5 herë me pistoletë nga xhami i pasagjerit.

Në dëshminë e Nuredin Dumanit, vrasja është realizuar ngaSkerdi Tase, i kontraktuar nga Dumani me porosi të Erjon Alibej dhe Arjan Spahiut.

Për këtë ngjarje u arrestuan nga policia Xhuliano Hoxha dhe Euglent Halili, por një ditë më pas, në pranga u vunë edhe babë e bir të familjes Manahasa.

Në servisin e tyre në Peqin u gjet arma me të cilën ishte kryer ekzekutimi, por dyshimet janë se një gjë e tillë është bërë me qëllim për të shpërqendruar hetimet.

Pak ditë pas vrasjes së tij, u gjet i vrarë edhe miku i tij i ngushtë. Regis Runaj, 23 vjeç, i vrarë me thikë.

Trupi i tij ishte hedhur buzë rrugës afër varrezave të qytetit, një rrugë qorre ku nuk kalojnë njerëz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fourteen − nine =