SHKRUAN Pal Canaj
Çdo popull e ka universin e botës së vet si trashëgimi e kulturës dhe e vetëdijes.
Shqiptaret dhe paraardhësit e tyre të lashtë sa vet jeta njerëzore, ata e ndërtuan universin e tyre si botë në vete.
Gjeografia e truallit shqiptar me plotë bukuri dhe pasuri ishte joshëse për perandoritë dhe sundimtarë të ndryshëm.
Sundimet në trojet tona ishin të ndryshme dhe të gjata. Përkundër sundimeve të gjata, po aq e gjatë dhe e pandërprerë ishte rezistenca dhe ruajtja e mëvetësisë identitare.
Në rrugëtimin e tij, populli ynë kishte edhe kohë të arta, ku në kronikat historike flitet edhe për universitetin në trojet tona, nder më të hershmin në kontinentin e vjetër.
Ndërsa në kohën e Motit të Madh, Gjergji ynë me kapedanet e tij me epopenë e tyre të lavdishme ishin të rreshtuar në mbrojtje të atdheut, dhe ne mbrojtje të civilizimit evropian, atëherë kur Humanizmi dhe Renesanca po lulëzonte në Evropë, dhe që kërcohej seriozisht nga synimet otomane.
Atëherë kur pushtimi otoman pllakosi lirinë e popullit tonë, shkrimtarët tanë të rrallë por të guximshëm dhe të ditur shkruanin libra në gjuhën shqipe, edhe pse për kohën nuk dihej se a do të ketë lexues vendor që t’i lexonin ato .
Në pushtimin e gjatë pesëshekullor, shqiptaret sikur zhvilluan një stoicizëm autokton dhe të mëvetësishëm të qëndresës. Me moralin e tyre si përbetimin “ për tokë e qiell” krijuan vertikalen për ruajtjen e vetëdijes së moralit atdhetar.
Familjet i fuqizuan me adhurim shenjtërie për ruajtjen e gjuhës, traditave, dokeve , zakoneve dhe veshjeve autoktone.
Ndërsa rilindësit tanë universin e botës shqiptare e sublimuan përmes arsimit të mbështetur në dijet evropiane si fuqi të mundshme për të davaritur errësirën e pushtimit otoman. Ata projektuan vizionin për lirinë e vendit si dhe formimin e kombit shqiptar duke u mbështeten në vlerat e traditës autoktone, e ringjallën palcën e qenies shqiptare përmes figurës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
Përmes vizionit të tyre rilindësit tanë figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e rikthyen si frymë të vetëdijes kolektive. Veprat e kryeheroit dhe figura e tij ishin shëmbëllime për unitetin nacional, luftën për liri si dhe të mënyrës për shtetndërtim në rrethanat e kohës.
Vlerat e traditës të cilat ngërthehen në universin e qenes nacionale mbeten si bazament për vijimësi dhe për më shume siguri e zhvillim në rrugëtimin e kombit shqiptar.
