Avokati Bledar Meminaj ka folur mbrëmjen e sotme në një emision televiziv për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Komisariatin nr.3 në Tiranë ku një efektiv policie qëlloi për vdekje kolegun e tij.
Meminaj ka dhënë detaje të reja ku zbulon se krimi ka qenë i paramenduar dhe se nuk bëhet fjalë për një konflikt të çastit. Kjo tezë sipas tij e shton dyshimin për faktin se autori i krimit, e kishte lënë makinë e tij ndezur, ndërsa shtoi se mendohet se ai pas ngjarjes do arratisej.
“Kam qenë afër komisariatit, pasi kam zyrën time aty si avokat. Mesa mora informacione nga punonjës të policisë, ata se kishin vënë re një konfrontim mes tyre. Autori rrinte i veçuar, nuk e konsumonte kafen me kolegët, por vetëm. Ditën e djeshme që ka bërë edhe vrasjen, ka qenë i bindur për të bërë këtë akt kriminal, pasi sipas informacioneve autori ka shkuar për të marrë turnin dhe makinën e vetë e ka lënë të ndezur, çka priste që të largohej. Ai pretendonte pas krimit që të largohej. Por agjentët e krimeve të komisariatit nr.3 e kanë neutralizuar, në makinë ka pasur dhe 30 fishekë të tjerë. Dhe s’ka pse t’i mbajë 30 fishekë. Është veprim i paramenduar nga autori, besoj se ai ka probleme mendore, se nuk ka shpjegim tjetër. Nuk mund të veprojë një punonjës policie ashtu si kriminel.”, tha ai.