-Romani më i fundit i shkrimtarit Kleo Lati-«Shpirtra të shitur»

-Romani më i fundit i shkrimtarit Kleo Lati-

Shkrimtari i njohur Kleo Lati ka kohë që sjell libra në tregun shqiptar në dy cilësi të veta prurësi: si shkrimtar dhe si përkthyes.Nëse si përkthyes është një mjeshtër i selektimit dhe sjelljes së letërsisë sipërane greke në gjuhën shqipe, si shkrimtar gjithnjë e më shumë ai e afirmon veten në sprovën e riprovuar të romancierit. Pas disa romaneve, sidomos  “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, novelës  psiko-lirike “Mëkati i bukur i tradhtisë”,  apo romaneve “Trupi im më përket mua”, “Hakmerru duke dashuruar” dhe “Pa dashuri as të vdesësh nuk pranohet”, këto ditë ka hedhur në treg romanin e tij të ri “Shpirtra të shitur”.

Është një ngasje e ardhur tek shkrimtari prej realitetit të djeshëm dhe të sotëm. Dy kohë diametralisht të kundërta, por shpesh me fate të ngjashme njerëzish, rrethanash, situatash. Në faqet e romanit ndeshen ballëpërballë njerëz që u takojnë dy botëve të largëta, të kundërta, por që jetojnë në të njëjtin mjedis. Njerëz me shpirt të pastër dhe plot virtyte, por edhe shpirtra të shitur dhe me plot vese. “Ka zemra që bëhen tempull për virtytet më të larta, sikurse ka edhe plot zemra të tjera – për fat të keq shumë më tepër se të parat – që bëhen tempull për veset më të ulëta”- shkruan autori, i cili me dhimbje pohon se për fat të keq njerëz pa dinjitet, që shesin jo vetëm trupin por edhe shpirtin, vazhdojnë ende të kenë fuqi dhe pushtet kërcënues edhe në këtë kohë të re. “Me sa duket as vdekja nuk është në gjendje që të na çlirojë nga këto kalbësira dhe krijesa të shëmtuara dhe të pështira” – thotë diku personazhi kryesor i romanit.

Romani “Shpirtra të shitur”, që përbën një kulm në prozën e romancierit Kleo Lati, është një gdhendje e pastër e gjendjes dhe realitetit që gjenerohet për individin e shoqërisë që rron nën regjimin e të paditurve të kamur.  Apo edhe të skllevërve të lumtur, të atyre që shesin dinjitetin njerëzor për përfitime të vogla dhe të çastit. Në skena dhe marrëdhënie ditore të personazheve si Aleksi, Spiuni apo Jagoja, Kryeredaktori, Shkrimtari K, Botuesi, Dori etj. shpërfaqet një shoqëri në zhytje, një shoqëri që lëngon. Përshfaqet drama e shoqërisë dhe e individëve të ndershëm të saj. Korrupsioni moral në bashkëjetesë me të gjitha versionet dhe derivatet e tij, në këtë roman përbëjnë temën dhe njëherësh edhe brendinë e një jete të një shoqërie që nuk e ndan dot bashkëjetesën e nevojës me poshtërimin, të dinjitetit nga përthyerja dhe shitja e shpirtit.Shpirti i shitur? Eh, edhe ky është mall! Një lloj i veçantë malli. Nuk shihet me sy, nuk preket me dorë, si çdo mall tjetër, megjithatë si çdo mall shitet dhe blihet” – pohon me dhimbje dhe revoltë njëherësh shkrimtari.

Forca e karaktereve të personazheve, por sidomos kontrasti mes tyre, janë provë e plotë për aftësinë dhe sidomos vlerën e romanit  “Shpirtra të shitur”. Edhe në këtë roman, shkrimtari çmon përhershmërisht jetën dhe vlerat e saj, kohën, por më së shumti, produktin e provave që rezultojnë për njeriun nga kjo jetë.

Në këtë libër ka neveri për batakçinjtë, intrigantët, shpirtshiturit, por edhe adhurim për njerëzit e thjeshtë dhe të virtytshëm, të cilët nuk përthyhen përballë ujkërisë të njerëzve diabolikë që kanë pushtet dhe pará, por që jetojnë të zhytur në mjerim shpirtëror.

Romani “Shpirtra të shitur” i Kleo Latit është shkruar me shpirt dhe ndoshta edhe për një kryearsye:  Kleo Lati është një personazh me dashuri të thellë e peshuese njerëzore që alkimisht shton provat e një autori dhe romancieri të dashurisë në letërsinë e sotme.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − eight =