Enkelejd Alibeaj mori dakordësinë e mazhorancës që në dy raundet e radhës për zgjedhjen e presidentit, që duhet të mbahen brenda datës 30 maj, të jetë opozita ajo që do të propozojë emrat për kandidatët për president.
Por, kjo siç duket ishte pjesa më e thjesht e synimit të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të përfshirë opozitën në procesin e zgjedhjes së presidentit. Pjesa e vështirë nis tani.
Kushtetuta parashikon se një kandidat mund të futet për votim në seancë plenare, veç kushteve të përcaktuara si mosha, arsimimi, koha e qëndrimit dhe jetesës në Shqipëri, duhet edhe të sigurojë mbështetjen të jo më pak se 20 deputetëve në Kuvend.
Gjithashtu, parashikimi kushtëzon se një deputet mund të firmosë mbështetjen vetëm për një kandidat dhe jo më shumë.
Në total, i gjithë blloku opozitar në Kuvend ka 63 mandate. Kjo do të thotë se me këto numra, nëse e gjithë opozita bëhet bashkë, mund t’u dorëzojë socialistëve në tryezë vetëm 3 emra.
Për emrin e katërt, ashtu siç parashikohet në dokumentin e Alibeajt, ata duhet që të marrin borxh firma nga deputetët e PS.
Megjithatë, nisur nga konjukturat aktuale brenda vetë opozitës, edhe tre emra rrezikojnë që të mos dorëzohen. Rithemelimi ka kundërshtuar marrëveshjen e Enkelejd Alibeajt me Taulant Ballën, si proces farsë që çon ujë te burimi i Ramës.
Por si janë numrat brenda opozitës? Brenda grupit parlamentar të PD-së janë krijuar tashmë tre nëngrupime.
Një ndarje me thikë nuk mund të hiqet, por një vijë e përafërt po. Sipas mbledhjes së thirrur nga Alibeaj të grupit parlamentar të PD-së në fillim të majit, nga ku më pas doli edhe dokumenti ‘Alibeaj’ me kushtet për zgjedhjen e presidentit, kreu i grupit parlamentar të PD-së ka me vete gjysmën e grupit, pra 22 deputetë nga 44 në total.
16 deputetë janë të rreshtuar me Berishën, që nuk është pjesë e grupit parlamentar. Grupi i deputetëve as me Alibeajn dhe as me Rithemelimin përbëhet nga 12 të tjerë dhe 13 nëse në këtë grup do të përfshihet edhe Lulzim Basha, si i distancuar nga përplasja brenda PD-së, ta paktën publikisht.
Rithemelimi ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes në këtë proces dhe sipas Komisionit, Alibeaj nuk ka tagër për të biseduar në emër të Partisë Demokratike.
“Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Taulant Balla për llogari të Ramës dhe pa asnjë tagër ka thirrur deputetët e Partisë Demokratike që të legalizojë marrëveshjen e tj personale me Ballën, marreveshje që i siguron Edi Ramës një president kukull me veshje konsensualiteti kallp”, deklaroi deputeti Oerd Bylykbashi.
Kjo do të thotë se për mbështetjen e kandidatëve të mundshëm, Alibeaj ka në dispozicion maksimalisht 46 firma nga gjithë blloku opozitar. Shifra mund të reduktohet më tej kur të vijë puna të emrat. Larmishmëria e grupeve parlamentare të opozitës e bën të vështirë që të sigurohet dakordësi lehtësisht në këtë pjesë.
Si në grupin parlamentar Aleanca për Ndryshim, që drejtohet nga Fatmir Mediu, ashtu edhe në grupin Demokraci dhe Integrim, të drejtuar nga Mesila Doda në përbërje ka deputetë të PD-së, që për efekt numrash për krijimin e grupeve parlamentare janë pjesë e këtyre grupeve, por që kanë mbështetur Rithemelimin.
Këtu, nëse ndonjëri prej tyre do të firmoste për një emër të propozuar nga Alibeaj do të testohej zotimi i socialistëve për të mos pranuar asnjë kandidat që mbështetet nga Berisha. A do ta interpretonin mbështetjen e mbështetësve të Berishës si mbështetje direkte të Berishës për një emër të caktuar?
Të gjithë këta faktorë reduktojnë mundësinë që Alibeaj t’u dorëzojë me firmat e deputetëve të opozitës socialistëve më shumë se një kandidat. Këtë siç duket kishte parasysh kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kur gjatë negociatave të së mërkurës ‘i ofroi’ ndihmë Alibeajt.
“Ju takon ju zgjedhja. Doni të keni ekskluzivitetin e propozimeve në dy raundet e mbetura, apo doni të konsultoheni me ne për ndonjë emër?! Ne këtu jemi të hapur për dialog”, deklaroi Balla.(SI)