Sipas një studimi nga World Vision Albania, në Shqipëri, vetëm gati 1% e grave vlerësohen si të fuqizuara, duke llogaritur disa tregues si: mirëqenia mendore, roli i tyre në familje, mundësia për të qenë vendimmarrëse dhe koha që kanë në dispozicion për veten.
Fuqia vendimmarrëse e grave në familje është e kufizuar.
Të anketuarve iu kërkua të deklaronin se kush zakonisht merr shumicën e vendimeve në shtëpi. 56% e tyre kanë thënë se kanë vendimmarrje në familjen e tyre, kryesisht nëpërmjet vendimeve të përbashkëta me burrin e tyre dhe shumë rrallë i merrnin vendimet vetëm. Pjesa tjetër nuk kishin fare fuqi vendimmarrje.
Kur vendimmarrja lidhet me shpenzimin e parave, vendimi përfundimtar merret nga burrat të familjes, të cilët kanë gjithashtu të drejtën për të vendosur për numrin e fëmijëve, arsimimin, migrimin ose emigrimin e familjes ose të njërit prej anëtarëve. Në studim shkruhet se gratë luajnë një rol informues ose këshillues.
E drejta e grave për pronë është një tjetër çështje komplekse në Shqipëri. Edhe pse gratë njohin të drejtën e barabartë për tokë dhe pronë, vetëm një përqindje e vogël e grave zotërojnë tokë, sepse ligjet nuk zbatohen dhe gratë vazhdojnë të jenë të margjinalizuara në çështjet e trashëgimisë.
Sipas ligjeve shqiptare, gratë mund të blejnë dhe të kenë prona. Megjithatë, këto ligje shpesh injorohen. Një nga arsyet janë normat sociale/kulturore.
“Gratë tradicionalisht nuk kanë qenë në gjendje të nënshkruajnë si “kryefamiljare” në çështjet ligjore. Që nga viti 2018, vetëm 8% e grave shqiptare zotëronin një tokë”, shkruhet në studim.
Sondazhi ka nxjerrë në pah një ndarje të pabarabartë të aktiviteteve shtëpiake, pasi gratë bëjnë pothuajse të gjitha punët e shtëpisë, përveç punës së paguar, ndërsa burrat janë përgjegjës vetëm për punën e paguar. Si rezultat, shumica e grave të anketuara (68%) nuk kanë kontroll mbi kohën e tyre, pasi shumica e tyre punojnë shumë, shtrihen dhe pushojnë pak orë në ditë, duke përfshirë orët e gjumit. Përfshirja e meshkujve në rritjen e fëmijëve është ende e kufizuar me vetëm 9% të të anketuarve gra që thanë se mund t’ia delegojnë aktivitetet e kujdesit burrit të tyre.
Studimi i organizatës World Vision bazohet tek anketimet në 8 nga 12 qarqet e Shqipërisë: Dibër, Durrës, Korçë, Kurbin, Lezhë, Librazhd, Shkodër, Tiranë.
Gratë pohojnë se nuk kanë një mjedis mbështetës dhe mbi 40 për qind e tyre fuqizohen vetëm përmes vetëbesimit personal.
Edhe pse liria e lëvizjes është relativisht e lartë (56%), vetëm 12% e grave jetojnë në komunitete ku mund të lëvizin lirisht për të kërkuar të drejtat e tyre qytetare dhe ndihmë ligjore.
Nga të gjithë treguesit, Organizata ka arritur në përfundimin se vetëm 0.7% e grave të anketuara në Shqipëri janë të fuqizuara.