Notice: Trying to get property 'post_excerpt' of non-object in /var/www/html/wp-content/themes/sahifa/framework/parts/post-head.php on line 73

Abuzime në Kadastrën e Durrësit, “plaçkitje me pronat e bregdetit, vetëm 15% të plota

Shkrirja e Kadastrës së Durrësit duket se ka nxjerrë në pah mangësitë dhe abuzimet me dokumentet dhe dosjet e pronave në bregdet.

Kreu i Kadastrës Artan Lame deklaroi sot se nga hetimet e thelluara në dosjet dhe arkivin e Kadastrës së Durrësit, janë hasur mungesa në dosje, zëvendësime si edhe faqe të paplota.

Lame theksoi në deklaratën e tij se nga 1.063 regjistra që ka arkivi, vetëm 152 dosje  ose 15% rezultojnë të mos jenë dëmtuar. Pjesa tjetër janë grisur dhe nuk janë zëvendësuar, të tjera janë dubluar (e njëjta pronë është deklaruar dy herë), ndërsa faqe të tjera dosjesh janë lënë bosh.

“Situata që paraqet Raporti e tejkalon çfarëdolloj imagjinate. Mjafton të të them vetëm disa shifra: Nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultojnë pa dëmtime. Të tjerët, (908 regjistra) rezultojnë të dëmtuar me grisje, heqje fletësh, ndërrime faqesh, etj: 730 faqe mungojnë tërësisht (janë grisur dhe nuk janë zëvendësuar fare); 243 faqe të zëvendësuara (pra kanë hequr faqen e vërtetë dhe e kanë zëvendësuar me një tjetër); 569 faqe të dubluara (pra e njëjta pasuri ekziston 2 herë. Këtë e bënin për të punuar me dy linja për të njëjtën pasuri); 25 faqe të grisura (pra është grisur faqja, por ka mbetur pjesa e qepjes); 1548 faqe bosh (faqe që liheshin bosh herë pas here, me qëllim për t’u përdorur me data te mëparshme)”, tha Lame.

Dëmtimet e dosjeve janë më të shumta në ato që lidhen me pasuritë e paluajtshme në bregdet kryesisht në zonat e Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon.

Sipas Lames, kjo ka ndodhur sepse nuk ka pasur një rregullore apo një përgjegjës që merrej me administrimin dhe inventarin e regjistrave në arkivë. Arkivi i kadastrës do t’i nënshtrohet dixhitalizimit dhe do të pajiset me një sistem alarmi dhe kamerash.

“Po e kujt është përgjegjësia e gjithë kësaj situate? Mjafton të them se asnjëherë nuk ka patur rregullore dhe përgjegjësi të qartë se kush i administronte regjistrat. Kjo bën që kushdo mund të merrte prej tyre, mund të hiqte e të shtonte. Edhe kur kalohej arkivi nga një punonjës tek tjetri, kjo bëhej pa inventar dhe pa asnjë kontroll. Vlera e parë e këtij inventari, është që të paktën vendos një ditë “0”, pra që pas kësaj dite nuk ka më rrëmujë dhe ndryshime të pakontrolluara.  Arkivi është me sistem kamerash dhe sistem alarmi. Ka një person përgjegjës për çdo hyrje – dalje dokumentacioni dhe personi.

Ky material do të përcillet zyrtarisht edhe në KM dhe në MD, të paktën për dy arsye:

-Kushdo prej strukturave kontrolluese të mund të vijojë hetimet mbi bazën e këtij Raporti.

-Për t’iu shmangur presionit të lloj-lloj banditëve që sapo të marrin vesh për këtë raport, do fillojnë presionet për të plotësuar gropat e identifikuara.

Nga ana jonë, do të bëjmë bllokimin e të gjitha pasurive që identifikohen si me probleme. Zgjidhja përfundimtare e kësaj situate, do të vijë përmes procesit të nisur sivjet me mbështetjen ne Qeverisë: Projekti i Skanimit dhe dixhitalizimit të arkivit. Gjithashtu mendoj që gjetjet e Raportit ti bëj publike, pasi kjo do ti shpjegonte publikut se nga gjeneron pjesa më e madhe e halleve dhe sherreve te njerëzve ne zonën e Durrësit”, përfundoi Lame.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 1 =