Në serat e Fierit mund të blesh një kilogram luleshtrydhe me 110 lek, ndërsa në tregjet e Tiranës çmimi trefishohet, duke kapur vlerën 300 lek për kilogram. Report Tv kreu një vëzhgim në fshatin Adë të Fierit, që njihet për kultivimin e luleshtrydhes, si edhe në tregun e pakicës pranë stacionit të trenit në Tiranë.
Një vasketë me luleshtrydhe, me peshë 500 gram shitet në markete dhe tregjet e Tiranës me 150 lek. Report Tv kreu një vëzhgim në tregun e pakicës pranë stacionit të trenit, ku shitësit thanë se një arkë me peshë 4.5 kg me shumicë kushton 1000 lek. Thënë ndryshe 220 lek për kilogram.
“Merret në shumicë dhe pastaj llogaritet transporti. Del në treg 110 lek e lart një vasketë, sepse shkon dorë më dorë nga prodhuesi, tregtari, e konsumatori”, tha një tregtar.
Për të ndjekur zinxhirin e shitjes së këtij fruti mjaft të preferuar për stinën, Report Tv ka udhëtuar drejt fshatit Adë të Fierit, që njihet për kultivimin e luleshtrydhes.
Fermerët janë në kulmin e sezonit të vjeljes! Prodhimi është i mbarë, por siç tregojnë, fitimi mbetet i pakët, për shkak se tregtarët e mëdhenj e marrim me çmimi mjaft të lire.
“Kërkojmë të na ndihmojë shteti! Shkojmë e çojmë mallin atje (grumbulluesi), ai thotë me 500 lek/arka. A thotë se nuk ka treg, por na gënjejnë!”, tha fermeri.
Në Adë të Fierit mund të blesh një kilogram luleshtrydhe me 110 lek/kg, ndërsa në tregjet e Tiranës çmimi trefishohet, duke kapur vlerën 300 lek/kilogram.
ÇMIMI I SHITTJES
FERMERI 110 LEK/KG
TREG SHUMICE 220 LEK/KG
TREG PAKICE 300 LEK/KG