Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI, reagon Rama: S’ka lidhje me mua! Do ishte bërë publike nga ata që s’manipulojnë prova

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave që e lidhnin atë me ish-zyrtarin e FBI të arrestuar  Charles McGonigal.

Përmes një postimi në Twitter, Rama shprehet se arrestimi i zyrtarit të FBI nuk ka asnjë lidhje me të ndërsa akuzon mediat për shpifje.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!”, tha mes te tjerave Rama ne rrjetin social.

Ndaj McGonigal janë ngritur akuza për shkak se ndihmoi një oligark rus, duke shkelur sanksionet amerikane. Ai  bashkëpunoi me një ish-diplomat sovjetik, që punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska.

Gjithashtu, ndaj tij janë ngritur akuza të tjera, për shkak se mori para kesh nga një ish-oficer i shërbimeve të sigurisë të një vendi tjetër.

Departamenti i Drejtësisë citon Zëri i Amerikës thotë se McGonigal gjithashtu fshehu nga FBI-ja detajet e një udhëtimi që bëri në Shqipëri në vitin 2017, së bashku me një ish-zyrtar të shërbimeve shqiptare të zbulimit, i cili i kishte dhënë 225 mijë dollarët.

Prokurorët thonë gjithashtu se ai nuk dha emrin e personit që e shoqëronte gjatë udhëtimit, si dhe nuk informoi se qëndrimi i ishte siguruar falas.

Postimi i Edi Ramës në Twitter:

Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!

Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.

Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen + 5 =