Zbulohen dokumente të tjera sekrete në shtëpinë e Presidentit të SHBA, Joe Biden

Gjashtë dokumente të tjera, të shënuara si të klasifikuara, u zbuluan të premten gjatë kërkimeve nga Departamenti i Drejtësisë në shtëpinë e Presidentit Joe Biden në shtetin Delaware.

Avokatët e presidentit njoftuan të shtunën se disa nga dokumentet e zbuluara datojnë nga koha kur  Biden shërbente në Senat dhe të tjerat gjatë kohës që ishte në postin e nënpresidentit të vendit.

Punonjësit e FBI-së gjithashtu gjetën shënime me dorë të Biden nga koha kur ai shërbente në administratën e Presidentit Obama.

Avokati i presidentit tha se kërkimi filloi pak para orës 10 të mëngjesit të premten dhe përfundoi rreth orës 10:30 të mbrëmjes. Ai shtoi se procesi i kërkimit ishte me bazë vullnetare, në praninë e ekipit ligjor të presidentit dhe përfaqësuesve ligjor të Shtëpisë së Bardhë.

Grupi i parë i dokumenteve u zbulua në nëntor në një zyrë private që përdorte Biden pas largimit nga posti i nënpresidentit. Në dhjetor u zbuluan dokumente të tjera të klasifikuara në shtëpinë e Biden në shtetin Delware. Gjetjet nuk u bënë publike deri në janar. Mënyra e trajtimit të dokumenteve po hetohet nga një prokuror i posaçëm.

Gjatë një prononcimi për median të enjten, Presidenti Biden këmbënguli se ekipi i tij ligjor po vepron në bazë të ligjit dhe se po bashkëpunon plotësisht me hetimet.

“Nuk jam penduar. Po ndjek këshillat e avokatëve”- u shpreh Biden pak ditë më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

six + eleven =