Një falënderim nga zemra e me përulësi

Enver Robelli

“Kultura nuk i shpëton njerëzit nga humnera, por kultura së paku nuk i shtyn njerëzit drejt humnerës”.
E kisha lexuar diku në shtypin gjerman këtë fjali së fundi dhe m’u duk e përshtatshme ta citoj si moto për promovimin e librit tim “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë. Një kronikë e pazakonshme e shekullit të 20-të”.
Ky libër u bë shkas që dje mbi 300 shqiptarë dhe zviceranë të vinin në Bibliotekën Publike Pestalozzi (Hardau) në Zürich. Çfarë ishte menduar si promovim libri në të vërtetë u shndërrua në një festë të bibliofilisë. Më shumë ndoshta nuk duhet të kërkohet nga një libër. Mjafton t’i bëjë bashkë njerëzit me qëllime të mira, me vullnet të mirë.
Faleminderit pa fund të gjithëve dhe secilit që dje ishte i pranishëm. Duke i pasur në mendje të gjithë, në veçanti falënderoj:
Drejtuesen e Bibliotekës Publike Pestalozzi, Suela Jorgaqin, që me zellin e paepur u kujdes të na i hap dyert dhe mirëpres.
Më pëlqen kjo bibliotekë edhe për një arsye: përballë saj gjendet një skulpturë e artistit kosovar Sislej Xhafa.
Shpresa Jasharin dhe Ylfete Fanajn i falënderoj për përshtypjet e tyre që ndanë me publikun.
Omer Xhemalin e falënderoj jo vetëm për fjalët e zgjedhura, por edhe për krejt angazhimin e tij vetëmohues për organizimin e këtij aktiviteti.
Më duket e udhës të veçoj këtë porosi të Omer Xhemalit nga fjala e tij e djeshme: “Por sot nuk duhet të jemi vetëm të lumtur si komunitet. Sot duhet të mendojmë më shumë se si ta gjallërojmë jetën kulturore në diasporë. Që mos të mbesim peng të argëtimit të lehtë. Do të doja që kjo ngjarje e sotme të na shërbejë si pikënisje për aktivitete të radhës.
Tani po ju flas si mjek: sipas një studimi të Institutit të Shëndetësisë të Universitetit amerikan Yale, kush lexon rregullisht, ia zgjat jetën vetes për dy vjet.
Dy vjet nuk janë pak.
Ne shqiptarët e kemi edhe një përparësi: alfabeti ynë i ka 36 shkronja, 10 më shumë se alfabeti në gjermanisht. 10 shkronja më shumë janë së paku 10 shanse më shumë për të zbuluar shtigjet e panjohura të kësaj bote të bukur”.
Arif Sulejmanin dhe Bekim Mustafin i falënderoj që me zemërgjerësinë e tyre e kanë bërë të mundshëm këtë promovim. Me ndërmarrjen e tyre Neosana ata janë jo vetëm punëdhënës fisnikë, por edhe mbështetës të gjallërimit kulturor të komunitetit tonë në Zvicër.
Më gëzoi prania në këtë ngjarje e dy miqve të mi të ngahershëm: Ilir Gjoni, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bern, dhe Sami Kastrati, shef i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Zürich (në një jetë tjetër me Samiun kemi shkruar te “Koha Ditore”).
Don Marjan Marku nga Ipeshkëvia e St. Gallenit me praninë e tij dha një shembull se si dinjitarët e fesë i çmojnë jo vetëm Librat e Zotit.
Visar Kryeziun e falënderoj për fotografitë dhe për ballinën e librit tim të botuar në dhjetor nga “Koha” në Prishtinë.
Kolegun tim të çmuar Blerim Shabanin e falënderoj për pasqyrimin e ngjarjes në platformën mediale Albinfo.ch.
Xhetare Rexhaj pranoi me entuziazëm lutjen time për të moderuar këtë ngjarje. Ajo pas pak javësh do të kthehet në Kosovë. Do të kthehet me uniformë të ushtrisë së Zvicrës dhe do të jetë zëdhënëse e trupave zvicerane që shërbejnë në Kosovë.
Kur e pashë këtë lajm, m’u kujtua dhjetori i vitit 2008. Pak muaj pasi ishte shpallur pavarësia e Kosovës, unë po udhëtoja me një koleg zviceran nga Prishtina në Zagreb. Po udhëtoja me Martin Wokerin e “Neue Zürcher Zeitung”. Sapo kaluam kufirin dhe u futëm në territorin e një shteti fqinj të Kosovës, kolegu im m’u drejtua me këto fjalë: “Ndoshta për 20 deri 30 vjet ministri i Mbrojtjes i Zvicrës do të jetë me origjinë shqiptare”. Madje ia gjeti edhe emrin. Tha: ministri do të quhet Ilir Gashi. Nga ai udhëtim Martin Woker kishte mbajtur shënime me saktësi zvicerane. Ato shënime m’i dërgoi para promovimit të librit. Aty përshkruhet fundjava e dytë e shkurtit të vitit 2040. Ministri zviceran i Mbrojtjes Ilir Gashi vjen në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 32 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Bashkë me gruan e tij Annemarie Zuberbühler Gashi, ministri helvetik takon së pari familjarët e tij në restorantin “Simfonia” në Prishtinë, ndërsa gazeta “Koha Ditore” citon një mbesë të ministrit Gashi e cila thotë se shqipja e tij është paksa e çuditshme, por ai, përkundër postit të lartë në kryeqytetin e Zvicrës, nuk ka ndryshuar fare…
Nuk mund ta dimë sot nëse ky vizion do të bëhet realitet më 2040, por një gjë është e sigurt: ky vend, Zvicra, është bërë atdheu ynë i dytë (ose i parë, varësisht nga këndvështrimi). Rruga jonë deri këtu s’ka qenë e shtruar me lule. Jam krenar që në këtë vend shoh aq shumë njerëz që me punë e përkushtim kanë arritur aq shumë suksese. Përtej përmbushjes personale, secili prej tyre me çdo të arritur i ka bërë nder edhe mbarë komunitetit.
Gjatë karrierës sime të deritanishme si gazetar jam përpjekur t’i qëndroj besnik të vërtetës. Dhe lexuesit më kanë shpërblyer me dhuratën më të madhe të mundshme: me besnikëri! Faleminderit nga zemra.
Në rreth 250 faqe ky libër e përshkruan shekullin e 20-të përmes ngjarjeve të vogla që kanë mbetur nën hijen e historive të mëdha. Ngjarjet e mëdha i dimë të gjithë: Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë, ngjitja e njeriut në hënë, rënia e Murit të Berlinit.
Por çka dimë për një letër të Aleksandër Moisut që e dërgoi më 1935? Ose për miqësinë e piktorit austriak Oskar Kokoschka me diplomatin shqiptar Çatin Saraçi? Ose për emrin ballkanik të një çokollate të famshme zvicerane? Shumë prej jush e njihni emrin e shkrimtarit zviceran Max Frisch. Këtu, në këtë libër, gjeni diçka edhe për udhëtimin e Max Frischit në Kosovë më 1933.
Ose për miqësinë e aktorit Aleksandër Moisiu me shkrimtarin Stefan Zweig. Mes viteve 1910-1930 askush nuk ka vdekur më bukur në skenën e teatrit se Moisiu. Ndoshta për këtë arsye ai si vend për prehjen e përhershme i ka zgjedhur varrezat në fshatin Morcote në Tiçino. Sipas webfaqes Tripadvisor këto janë varrezat më të bukura të Zvicrës.
Dje, ndërkaq, e festuam jetën, duke kujtuar të kaluarën dhe duke besuar se për komunitetin shqiptar në Zvicër ardhmëria sapo ka filluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × two =