Alibeaj kundër Berishës nga Brukseli: Protestat ndaj BE-së, jo mjeti i duhur

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dalë kundër kryedemokratit, Sali Berisha në lidhje me protestën që do të zhvillohet më 6 dhjetor, në të njëjtën ditë kur në Tiranë do të mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Në një lidhje telefonike nga Brukseli për Euronews Albania, Alibeaj u shpreh se protestat ndaj Bashkimit Evropian, nuk janë mjeti i duhur.

Sipas tij, shqetësimet u duhen shprehur evropianëve, jo nëpërmjet protestave.

“Unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim. Ajo se çfarë kam bërë të qartë, lidhur me protestat ndaj Evropës, nuk besoj se është mjeti i i duhur. Ne, shqiptarët kanë nevojë për Evropën. Evropa do duhet konsideruar si dashamirësi dhe një mjet shtesë që monitoron demokracinë e plagosur rëndë në Shqipëri. Shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, të drejtat e individëve.

Instrumenti, të cilin do duhet të ndjekim, do duhet të jetë i tillë që të jetë funksional dhe të jetë funksional, unë mendoj, së bashku me kolegët e mi, kemi zgjedhur që të gjithë ato shqetësime, që mund t’i thotë kushdo në Shqipëri, t’i çojë në veshin e evropianëve. Dhe jo vetëm kaq, se kjo është e pamjaftueshme, por të marrë premtimin, angazhimin, mobilizimin e Evropës, që t’i bëhet krah shqiptarëve. Ne kemi zgjedhur këtë rrugë dhe unë besoj se kjo është rruga më funksionale”, theksoi ai.

Partia Demokratike ka njoftuar se qytetarët më 6 dhjetor do të grumbullohen sërish para Kryeministrisë.

Por edhe këtë të enjte, drejtuesit e policisë i komunikuan përfaqësuesve të Partisë Demokratike që zhvillimi protestës në atë pjesë të bulevardit nuk do të jetë i mundur.

Por as ky paralajmërim i fundit i policisë nuk e stepi Berishën, që shprehu vendosmërinë për protestën e 6 dhjetorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × 5 =