Ngjela: Protesta e 6 dhjetorit anti-europiane, Berisha është në deficencë mendore

Avokati Spartak Ngjela, deklaroi se protesta e thirrur nga Sali Berisha më 6 dhjetor, është një lëvizje anti-evropiane. Në një intervistë televizive ditën e djeshme, Ngjela nënvizoi se nëse ndërkombëtarët do të kenë prova të reja për Berishën, ky i fundit do të jetë në rrezik.

Ndër të tjera, avokati Spartak Ngjela i ka cilësuar absurde deklaratat e Arben Krajës se SPAK ndodhet nën presion nga portalet. Sipas tij, kjo prokurori nuk po arrin pritshmëritë e kërkuara, madje sipas tij është blerë nga të korruptuarit. Ngjela deklaroi se SPAK-un e goditi politika amerikane dhe kjo nuk duhet diskutuar më gjatë.

Sipas tij kjo nuk është me rëndësi për aq kohë sa ambasadorja Yuri Kim përfaqëson qëndrimet e SHBA-së dhe praktikisht Joe Biden e ka bërë të qartë se SPAK nuk funksionon, është i blerë dhe i trembur. Për më tepër Ngjela sqaroi se Kraja duhej pyetur dhe për afatet e hetimeve.

“Nëse unë marr për të vërtetë atë që ka thënë ambasadorja amerikane dhe s’ka si të mos jetë e vërtetë, i gjithë ekuacioni merr atë rrjedhë”, u shpreh Ngjela. Si tha se amerikanët duan të luftojë korrupsionin në Shqipëri, pasi aleancën me vendin tonë e kanë të domosdoshme për zonën ku jemi vendosur.

Sipas avokatit, 97% e shqiptarëve janë pro-amerikanë dhe ky është një tjetër faktor që i shtyn SHBA-ta të kenë interes për vendin tonë.

“Çfarë e ka këtë qëllim politika amerikane kundër korrupsionit shqiptar? E keni vrarë mendjen? Pse është kaq i vendosur për t’i shkuar deri në fund? Aleancën me Shqipërinë e ka të domosdoshme për zonën. Të ka futur në NATO pa asnjë ushtar. Interesi ynë është shumë i madh dhe atyre i madh. Interesi i tyre nuk do ishte kaq i madh nëse nuk do t’i rezultonte që 97% e shqiptarëve janë pro-amerikanë”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × five =