Varhelyi: Me marrëveshjen për targat u shmang përshkallëzimi i situatës

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të mërkurën pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel ku Kosova u pajtua që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale.

Sipas tij me arritjen e marrëveshjes është shmangur përshkallëzimi i mëtejshëm.

“Negociatat duhet të vazhdojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Varhelyi në rrjetin e tij social në Twitter.

Kosova dhe Serbia, përkatësisht kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic kanë nënshkruar marrëveshje në Bruksel për de-eskalim ku Kosova heqë dorë nga zbatimi i masave për veturat me targa ilegale, derisa Serbia zotohet se nuk do të prodhojë më të reja.

Sipas marrëveshjes së arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, pra nuk do ketë gjoba dhe as konfiskime, ndërsa Serbia do të ndalojë lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

Ndryshe, siç u kuptua pas takimit të fundit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, BE-ja kishte ofruar një propozim i cili kërkonte nga Serbia që të mos lëshojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobisë shoferët që vozisin makina me targa ilegale.

Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eight + nine =