2A-Tregim nga Muc Xhepa

16 nëntor 1984. Arkëmorti doli nga porta e madhe. Tre djemtë, kokëlartë, përcillnin pranë Perëndisë babanë. Mjekun e çdo vatre në Elbasan. Njerëzia hiqnin kapelet dhe i vendosnin në zemër. Ato pranë, e merrnin në supe engjëllin që ju ish gjendur në çdo kohë. E mora edhe unë afër kokës. S’i mbajta lotët.
– Dëgjomë, është serioze. Të kthehet në peritonit.
Kishte ardhur në mesnatë me biçikletë te “Banesat”. Shtëpia ime në katin e katërt. E kishte lënë poshtë hyrjes mjetin, që s’ia kishin ndaluar ende dhe në gjysmerrësirë kishte ngjitur shkallët shpejt.
– Faleminderit shumë doktor, je munduar. Por, më shkoi dhimbja si me dorë. E trembët.
Më vështroi me sytë që i rrezatonin dituri dhe pa më lënë të vazhdoj, me zë hyjnor, kërkoi të më bindë.
– Peritoniti është skuqje, ënjtje e mukozës së barkut. Në rastin tënd është shkaktuar nga plasja e apendicitit. Duhet hequr menjëherë. Të rrezikon jetën.
Më mori me vete si të isha djali i tij. Dhe, qëndroi derisa dola nga salla e operacionit. Kishte pasur të drejtë. Apendiciti më kishte plasur.
Vargu i njerëzve në cermoninë mortore la pas rrugicën e ngushtë të lagjes “Kala” dhe mori udhën drejt bulevardit qendror. S’ishte parë një nderim i tillë në qytetin tonë.

Gigi, djali i madh i doktorit, kishte nisur të mësonte anglisht. Ishim miq të besës. Një orë mësimi erdhi i shqetësuar.
– Dje isha me babanë të vizitonim një paciente të moshuar. Vuan nga tuberkulozi. Kishte kollë me gjak dhe temperaturë të lartë. Babai ka dhjetë vjet që e kuron. Pas vizitës, në oborrin e shtëpisë, i biri më kërkoi t’i lija vetëm. Ai punon në degën e brendshme. Qëndruan gjatë. Kur u kthye, babait i kishte rënë hije vdekjeje.
– Mendon se mund të ketë lidhje me ty.
Gigi ishte mjek zemërmadh. Kur dikush i dërrmuar nga puna e rënde dhe mungesa e ushqimit i kërkonte raport mjekësor, regjim shtrati, ai nuk ia prishte. Veperim i dënueshëm për pushtetin e punëtorëve dhe fshatarëve, që jetonin të lumtur në parajsën e socializmit botëror.
– Jo, do të jetë shumë më serioze.

Bulevardi ishte mbushur plot. Arkëmorti kalonte nga supi në sup. Pas hotel “Skampës”, në rrugën që të shpie te Komitetit i Partisë Rrethit, kortezhin e ndaloi policia.
– Kemi urdhër të mos u lëmë ta kaloni… janë në mbledhje. Vendoseni në automobil dhe të tjerët në autobuse.
Atë ditë, paria e partisë komuniste kishte urdhëruar lukuninë e saj të mos merrte pjesë në funeral. Vetë ishte ngujuar në pallatin e krimit për punë të pista. Populli i kishte sfiduar: shprehte hapur falenderimin e merituar.

– Mësova para pak ditësh të vërtetën e mosardhjes së autoriteteve të qytetit në varrimin e babait.
Thotë Gigi pas takimit me Dr. Lee Edwards, themelues dhe kryetar i “Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit”. Jemi ulur për kafe jashtë lokalit “Coffee Nature” në Uashington. Si përfaqësues të bordit të organizatës “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane” erdhëm të marrim eksperiencë.
– I bëri përshtypje njerëzve që morën pjesë.
– Babanë e kishin në 2A.
– Çdo të thuash me këtë.
– Kishin vendosur ta burgosnin më 17 nëntor dhe tërë familjen ta internonin.
Mbetem. Më shkakton aq tronditje sa nuk po di si të sillem.
– Mjekun engjëll të qytetit.
Fjalët me dalin përzier me lot.
– Dy ditë. 15 nëntor, Zemra pushoi…
Gigi kalon kafenë poshtë. Mbyt dhimbjen.
– Para se ta prangosnin.
Doktori kishte vajtur si çdo ditë të zakonshme pune në klinikë. Duke vlerësuar shfaqjen e një defekti lobar në radioskopinë e mushkërive të një pacienti, i kishte ndaluar zemra. Mjekut që kishte shpëtuar mijra jetë…
– Të na shpëtonte.
Heroi ua kishte djegur dosjen “3963-A”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

three + 8 =