Europa këtë dimër ka për stacion krizën energjetike

Aleksander Cipa

Kontinenti europian është përfshirë në ankthin e një krize të paralajmëruar. Të gjitha qeveritë e shteteve të bashkësisë europiane po përfshihen në procesin e ristrukturimit të buxheteve financiare, përsa i përket tregjeve të energjisë dhe marrëdhënies me konsumatorët. Është një krizë e paralajmëruar, që u shpall prej të gjithë aktorëve zyrtarë të kontinentit menjëherë sapo nisi kriza në Ukrainë dhe fill pas masave reaguese që shtetet e BE-së morën ndaj Rusisë, duke vendosur sanksione dhe ndërmarrë një zinxhir veprimesh që ndryshuan strukturën rajonale dhe atë ndërkombëtare të tregtisë energjetike.

Këto qëndrime dhe masa të marra të vendeve të BE-së sollën që të gjitha qeveritë e tyre të gjenden në befasi dhe të papërgatitura për plane rezervë, mundësi alternative dhe projekte të shpejta shpëtuese. Analistët e tregjeve në fushën e energjisë si dhe ata të ekonomisë në përgjithësi, në pothuajse të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe në rajonin e Ballkanit, po japin alarmin e udhëtimit me shpejtësi drejt një dite të afërt që do të pasohet me një krizë energjetike, të gjatë dhe shtrënguese.

nga VCG

nga VCG

Të gjitha institucionet qendrore europiane apelojnë për masa të reja. Vetë Komisioni Evropian në kuadër të këtyre masave, për të zbutur çmimet e larta aktuale të energjisë elektrike, ka shpallur direktiva të fuqishme lehtësuese. Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, shprehet se: “Ne jemi përballur me çmime astronomike të energjisë elektrike për familjet dhe kompanitë dhe me paqëndrueshmëri të madhe të tregut. Komisioni propozon të kursehet energjia elektrike në një mënyrë të zgjuar, duke shmangur kërkesat e pikut”. Në këtë mënyrë, prioritet nuk do të jetë vetëm sigurimi i furnizuesve të rinj të gazit, por edhe pakësimi i kërkesës ndaj tij.

Ndërkohë shtetet europiane po projektojnë politika të reja dhe struktura të reja menaxhimi për kompanitë prodhuese të energjisë elektrike si dhe konsorciumet e këtij tregu, si në nivel BE-je, ashtu edhe në rajone si Ballkani.

Me shpejtësi, një sërë vendesh, kanë inkurajuar dhe po lehtësojnë procedurat burokratike për operatorët dhe kompanitë që u drejtohen burimeve alternative të energjisë si fotovoltaike apo burimeve të rinovueshme, duke përshpejtuar kësisoj tranzicionin drejt energjisë së pastërt. Pavarësisht këtyre masave të reja, ato janë të pamjaftueshme për të sfiduar krizën e paralajmëruar. Komisioni Europian edhe pse apelon për shtetet anëtare të ofrojnë shuma të mëdha fondesh, rishtazi nuk rresht theksimin e propozimit për një kufi çmimi për gazin rus si dhe për prurjet ruse në këtë fushë. Në planin e masave politike, BE-ja po punon me gjithë kapacitetet për shkëputjen nga energjia ruse dhe karburantet fosile të kësaj fuqie prodhuese. Duke diversifikuar burimet dhe furnizues të energjisë BE-ja synon të lehtësojë varësinë e deritanishme.

nga VCG

nga VCG

Shtetet europiane vijojnë të kërkojnë burime, furnizues dhe operatorë alternativë në hapësirën ndërkombëtare. Ndryshimet e treguesve statistikorë mes Rusisë dhe BE-së në këtë sektor janë nga 40 për qind në 9 për qind aktualisht, pra në muajin e tetë të vitit 2022. Ky kuadër, ka krijuar hapësira dhe terren krejt të ri për lindje marrëveshjesh dhe përfshirje të tregjeve të tjera në rrjetin e nevojës europiane për energji.

Duke parë situatën me Rusinë, në qendër të vëmendjes ka qenë edhe Kina, që ka fituar një vend më të rëndësishëm si përftuese e gazit, naftës dhe qymyrit nga Rusia. Ndërkohë që Rusia eksporton më shumë drejt Kinës për të dënuar Europën, Kina do të ketë kapacitete të shtuara që mund t’i shesë në treg duke ndihmuar në mënyrë të tërthortë edhe Europën.

nga VCG

nga VCG

E vërteta është që kriza e shumëparalajmëruar energjetike u kthye më në fund në realitet dhe pavarësisht se ka qenë për një kohë të tejzgjatur në qendër të diskursit publik dëshmoi se BE-ja dhe Europa ishin të papërgatitur. Me ardhjen e dimrit të ftohtë dhe të errët shqetësimi ndaj kësaj krize bëhet edhe më prezent. Europa e bashkuar duhet të tregohet e aftë për të vepruar së bashku dhe për të gjetur zgjidhje të reja për një problem të vjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

five × four =