Mbretëreshë e përjetshme

Enver Robelli
Ishte mbretëreshë kur Europa ende largonte rrënojat e Luftës së Dytë Botërore. Ishte mbretëreshë kur s’ishte ndërtuar ende Muri i Berlinit. Para se të bëhej mbretëreshë, ishte grua. Shtatzënë. Nisi të lexojë libra mbi psikologjinë e fëmijëve. Ky lajm depërtoi në opinion. Në Britani shumëkush u habit: një nënë e ardhshme lexon libra për psikologjinë e fëmijëve? A nuk edukoheshin fëmijët në Britani si gjithkund: me qortime dhe me shkop? Elizabeth Alexandra Mary Windsor ishte një grua moderne që ruante e kultivonte rituale mesjetare.
Kur u bë Mbretëreshë, në Moskë sundonte Stalini, në Tiranë Enver Hoxha, në Beograd Josip Broz Tito, në Egjipt Mbreti Faruk, në Washington Harry S. Truman. Çdo javë Mbretëresha Elisabeth II. takonte kryeministrin përkatës për një bisedë 30-minutëshe mbi zhvillimet e fundit politike. Bisedat me Winston Churchillin zgjasnin mbi dy orë. Kur Harold Macmillani, kryeministri i saj më i dashur, u shtri ne spital, ajo ia dërgoi një shishe shampanjë. Mbretëresha kishte humor. Dhe ironi. Dhe empati. Harold Wilsoni, kryeministri i radhës, para se të shkonte në takimet e rregullta me mbretëreshën, thoshte: “Po shkoj ta takoj nënën”. Kur Elizabeth Alexandra Mary Windsor u bë mbretëreshë, Tony Blair nuk ishte ende në këtë botë. Më 1997 Blair u bë kryeministër, më 1999 e çliroi Kosovën. Të tjerat janë histori.
Por ka shumë më tepër histori. Më 1957 mbretëresha e re për herë të parë iu drejtua popullit përmes televizionit. “Fakti që ju po më shihni këtu sot, është një shembull për shpejtësinë e madhe me të cilën gjithçka po ndryshon përreth nesh”, tha ajo. Atëherë s’kishte internet. Por edhe epokën e internetit e përjetoi Elisabeth II.
Më 6 shkurt 1952 ajo ishte për vizitë në Keni kur mori lajmin se ka vdekur i ati i saj, Mbreti George VI. Pastaj u ngjit në fron. Mbretëresha kishte humor, siç u tha. Të vetmit që mund t’ia urinonin pallatin ishin – qentë e saj. Ata s’ushqeheshin nga konservat. Gjellët e tyre përgatiteshin nga një kuzhinier.
Në prill 2021 ajo humbi burrin e saj, Princin Philip, me të cilin kishte qenë nën kurorë martesore për 74 vjet. Ajo ishte kryetare e Mbretërisë së Bashkuar dhe e 15 vendeve të Commonwealth-it, mes tyre Australisë, Zelandës së Re dhe Kanadës. Ajo ishte dhe mbetet – Mbretëreshë e përjetshme!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

13 + 7 =