NË HAPËSIRËN SHQIPTARE “KOMUNIKOJNË” VETËM ANTIVLERAT

Salajdin Salihi
Bashkimi kulturor, mision i (pa)mundshëm
Bashkimi kulturor mbarëshqiptar është i mundshëm dhe i domosdoshëm, por, siç duket, nuk është i dëshirueshëm nga vetë shqiptarët. Që të kemi integrim kulturor (jo në kuptimin folklorik) duhet më parë ta kuptojmë se kufijtë kulturorë shkojnë përtej kufijve administrativë.
Mjerisht në hapësirën shqiptare “komunikojnë” vetëm antivlerat. Madje përkrahen nga institucionet publike, sepse spektaklet tërheqin audiencë e kjo u duhet prijësave tanë.
Në hapësirën shqiptare ka njerëz të ditur, të zotë, të çmuar, por ka edhe kaos. Shoqëria jonë është e ngulfatur nga fataliteti i kaosit. Organizimi i kaosit në shoqëri, sipas Branko Merxhanit, është proces që duhet të fillojë nga kultura. Ky proces do dije, mund dhe strategji afatgjate. Është proces evolutiv. Fjala “kulturë” nuk e duron fjalën “revolucion”.
Le të japim disa shembuj që ndërlidhen me temën e mësipërme.
Ernest Koliqi, kur ishte ministër arsimi, e krijoi një strategji afatgjate për ngritjen kulturore të shqiptarëve.
Esad Mekuli ishte nismëtari për krijimin e institucioneve më të rëndësishme arsimore, kulturore dhe shkencore në Kosovë.
Në këtë drejtim dha kontribut shumë të madh edhe “Rilindja” e Prishtinës, e cila, mjerisht, është vetëm pjesë e historisë. Në qytetin tim kishte dy librari të saj, ku shiteshin libra me çmim të lirë. Drejtuesit e “Rilindjes” kishin si synim që libri të depërtonte nëpër familjet shqiptare…
Sot mungojnë nismat cilësore kulturore. Flasim për integrime globale dhe na mungon integrimi kombëtar. Pasi nuk kemi strategji të përbashkët kulturore, rrjedhimisht as nuk e dimë si duhet të sillemi në rrethanat e reja, në kontekst të globalizimit dhe integrimeve europiane. Mendojmë se Europës mund t’i afrohemi vetëm duke miratuar ligje. Jo. Më parë duhet ta ngjallim ndjenjën e europianizmës brenda qenies sonë. Kjo arrihet nëpërmjet kulturës… Qytetërimi europian vazhdon të ushqehet nga rrënjët e lashtësisë. Nuk duhet të harrojmë se BE është edhe projekt kulturor. Ajo u formësua nga njerëzit e kulturës. Viktor Hygo e paramendoi edhe monedhën e përbashkët europiane. Kjo monedhë nuk duhej të kishte simbole kombëtare, sepse mund të lindnin përçarje mes kombeve. Në “euro” tani kemi urën si simbol me të cilin identifikohen të gjithë europianët. “Babai” i Bashkimit Europian Jean Monnet-i tha se nëse do t’ia niste nga e para, atëherë do t’ia niste nga kultura…
Tek ne kultura ka dalë në plan të fundit.
Pascal Bruckner-i thotë: “Ditën kur budallai agresiv do ta udhëheq shoqërinë tonë, atëherë qenia kulturore do të trajtohet si idiot; do të trajtohet si ekzemplar i çuditshëm në zhdukje e sipër vetëm pse ende e respekton thellësisht librin, disiplinën dhe mendimin”.
Jetojmë në kohën e spektaklit, kiçit, banalitetit. Fjalën kryesore e ka industria e argëtimit, që shumëfishon refrene, klishe, parulla…
Për këto tema ka shkruar shpesh edhe “Hejza”. E përgëzoj. Ajo është bërë hapësirë debatesh dhe afirmuese e vlerave tona kulturore në këtë kohë zhurme, cektësie, simulimesh e simulakrash dhe në këtë shoqëri të sunduar nga tirania e banalitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

nineteen + 5 =