Dy pishinat e Hysenbelliut, halli më i madh i kombit shqiptar!

Ajo që po ndodh me prishjen e dy pishinave të Irfan Hysenbelliut, nuk ka asnjë lidhje me goditjen e medias së lirë dhe kritikëve të qeverisë. Ajo është thjesht një prishje pazari mes pronarit të mediave, Irfan Hysenbelliu dhe qeverisë shqiptare.

Së pari, sepse këto media nuk kanë qenë të lira dhe në shërbim të publikut shqiptar. Ato kanë shërbyer për interesat personale dhe interesa të biznesit të pronarit të tyre

 Këtë e tregon më së miri, edhe mënyra se si ky televizion ka dy ditë që transmeton live çdo centimetër të shembjes së dy pishinave, duke e kthyer hallin e pronarit, në një hall me përmasa kombëtare, ku qytetarët shqiptarë janë të detyruar të ndjekin se si po na goditen pishinat legjendare të restortit “Prestige”, sepse pronari na paska luftuar qeverinë.

Për të kuptuar lirinë e mediave të Hysenbelliut, le të kthehemi pas në vitin 2019. Në televizionin News24, transmetoheshin emisionet “Të Paekspozuarit” nga Ylli Rakipi dhe “A Show” nga Adi Krasta. Të dy emisione shumë kritike me qeverinë Rama.

Në atë kohë, “Të Paekspozuarit” kishte transmetuar aferën e Unazës, aferën e inceneratorëve e shumë investigime të tjera. Krejt papritur, Hysenbelliu mbylli dy emisionet, pa asnjë shpjegim.

Në atë kohë, ai ndërtoi edhe një bord, i cili u mblodh dhe e justifikoi këtë ngjarje, me ndryshime në programacion, duke i zëvendësuar emisionet kritike ndaj qeverisë, me Sokol Ballën, gazetar pranë qeverisë.

Askush nga opozita nuk e vuri kujën për mbylljen e dy emisioneve kritike, madje kryetari i PD-së dhe kryetarja e LSI-së, të dy opozitarë me nam, nuk mbajtën asnjë qëndrim për çështjen. Privatisht Monika Kryemadhi, deklaronte e habitur: “po pse Irfanit do ti bie unë, jeni në terezi?!”.

Dashuria e Hysenbelliut me qeverinë vijoi dhe kasetat e gatshme të qeverisë, transmetoheshin pa problem në mediat “e lira” dhe me linjë editoriale “kritike” të News24, siç po na e shesin sot opozitarët. Aty gjenin vend papushim eksponentët e qeverisë, që derdhnin pa kufij propagandën e tyre. Taulant Balla, numri dy i PS-së, i kishte kthyer News24 dhe resortin “Prestige”, në shtëpitë e tij të dyta dhe të treta, siç e pohojnë edhe vetë punonjësit e resortit, që deklarojnë se ka qëndruar edhe dy muaj në suitën presidenciale.

Irfan Hysenbelliu dhe qeveria po përjetonin ditë dashurie. Vizitat dhe drekat në resortin “Prestige” sa vinin e intensifikoheshin, siç po i nxjerr vetë News24, që ti shohë populli, a thua se këto tregojnë lirinë e medias. Ato në fakt janë ulëritëse dhe tregojnë krejt të kundërtën, një afrimitet krejt të papranueshëm mes një pronari mediash dhe eksponentëve më të lartë të mazhorancës.

Madje, aq qesharake është bërë situata, sa një fotografi të Edi Ramës që kalon afër pishinave që shteti sot thotë se janë pa leje, News24 e transmeton sikur është ndonjë provë për ligjshmërine e tyre. Sikur Edi Rama i paska bekuar dhe ligjëruar pishinat me këmbët e veta…

Vetë opozitari Sali Berisha, që është zotuar për të ndërtuar një opozitë ndryshe nga Lulzim Basha, është zhytur në një hipokrizi shumë të thellë për hallin e pishinave të “Prestige”. Në vend t’ju tregojë shqiptarëve, se kjo është një histori banale e prishjes së pazareve mes medias dhe qeverisë, ai ka dalë në mbrojtje të Hysenbelliut si “media e lirë”, pavarësisht se 6 muaj më parë e quante të kapur nga qeveria, “kapterr të Taulant Ballës” dhe të paguar nga paratë e inceneratorëve.

Historia e prishjes së pishinave të “Prestige”, nuk është një histori e goditjes së medias së lirë. Ajo është një histori e prishjes së pazareve mes pronarit dhe qeverisë. Ndaj, mjaft na e neveritët duke e shitur si hall kombëtar!

Mediat e Hysenbelliut janë të kapura nga interesat e vetë pronarit, siç janë të kapur shumica e mediave në Shqipëri nga interesat e pronarëve të tyre. Ky është fakt i ditur botërisht.

Herë me Edi Ramën, herë me Lulzim Bashën, herë me Sali Berishën, me siguri mund të vijë dita që do të rikthehet sërish me Edi Ramën edhe pse gjasat janë, që ky i fundit i ka mbyllur përgjithmonë llogaritë me Hysenbelliun dhe ia ka hequr vizën në mënyrë të pakthyeshme.

Është e vërtetë që qeveria e ka lejuar Irfan Hysenbelliun të ndërtojë ne rërë e në det, të mos paguajë taksa dhe të bëjë cfarë ti dojë qejfi, duke marrë në këmbim shërbimin që i duhet nga mediat e tij.

Por sot kur pazaret janë prishur, qeveria po e zhvesh atë lakuriq dhe po e përball me ligjin. Ky është risku i çdo biznesmeni, që nuk paguan detyrimet, sepse kujton se është në besë të qeverisë dhe përdor mediat për tu fshehur prej tyre. Një ditë, po u prishe me qeverinë, ligji të troket në derë!

Në vend të ankohesh dhe të përdorësh valët publike, për të transmetuar prishjen e pishinave si ngjarjen më të rëndë në historinë e Shqipërisë, shko paguaj detyrimet ndaj shtetit dhe pastaj bëhu media e lirë që lufton Edi Ramën!/ TPZ

Leave a Reply

Your email address will not be published.

one × 2 =