6 SHTATOR, HAPET EKSPOZITA IME PËR UKRAINËN

Ben Blushi
Duke përshkruar Ukrainën, mendoja se arsyeja pse ky vend nuk është pushtuar nga Perëndimi, janë fushat e pafundme që fillojnë në Poloni dhe mbarojnë në Rusi.
Të udhëtosh 12 orë me tren, nga kufiri polak deri në Kiev, pa parë asnjë mal, është shumë e habitshme për një njeri si unë, që vjen nga një vend ku malet, zënë më shumë se gjysmën e territorit. Ukraina është një fushë që nuk mbaron. Malet përbëjnë 5 për qind të sipërfaqes së saj dhe lartësia mesatare e tyre nuk i kalon 175 metrat.
Gjithmonë kam besuar se një nga rolet që kanë malet, është të pengojnë pushtimet, megjithatë ky vend pa male, është pushtuar më pak se Shqipëria. Deri para disa muajsh.
Ne udhëtuam natën, nga Polonia në Ukrainë, me një tren sovjetik me kabina të errëta dhe sedilje të ngushta, i cili duke gjarpëruar përmes fushave të zeza, rënkonte sikur do thyhej, sa herë kalëronte mbi një urë.
Ishim rreth 50 ballkanas, gjysma shqiptarë dhe gjysma malazezë, shumica prej të cilëve, kanë humbur përgjithmonë zakonin e udhëtimit mbi rrota hekuri, që kur makinat vranë trenat, në betejën fushore mes shinave dhe asfaltit.
Që nga fillimi i pushtimit rus, miliona ukrainas janë larguar në Perëndim, por me mijëra janë ata që kanë nisur të kthehen, duke mbushur kabinat me të cilat ne shkonim drejt Kievit, në mes të qershorit.
Në këto trena që udhëtojnë drejt luftës kërkohet disiplinë ushtarake.
Pa përjashtim, ukrainas, shqiptarë, malazezë, i binden një urdhëri: mbani mbyllur dritat e kabinave për t’u ruajtur nga sulmet e papritura të ndonjë avioni rus, që mund ta hedhë në erë trenin bashkë me pasagjerët, gjatë një shëtitje lunatike mbi qiejt e Ukrainës.
Ka disa mënyra për ta kontrolluar këtë panik.
Njëra është të flesh, ç’ka unë nuk e bëra dot. Tjetra është të pish, ç’ka ne nuk e dinim dhe e bëmë me sukses në kthim. Tjetra është të bësh muhabet me ushtarët ukrainas që na shoqëronin. Unë zgjodha mundësinë e tretë dhe aty mësova nga lufta, më shumë se gjatë gjithë këtyre muajve që kur Ukraina është sulmuar nga Rusia.
Edi Rama më kishte ftuar të shkoja në Kiev, bashkë me Dritan Abazovicin, këta të dy me shpresën se Presidenti i Ukrainës do lehtësohej që Shqipëria dhe Mali i Zi ishin gati ti linin rradhën për tu antarësuar në BE, ndërsa unë, me shpresën se mund ta bindja Volodymyr Zelenskyn, të pozonte për librin tim të ardhshëm.
Edi dhe Dritani, ia arritën ti premtonin Zelenskyt atë që priste, ndrësa unë, duke e fotografuar, kuptova se ky premtim e mbajti të gëzuar për shumë pak kohë.
Fytyra e Zelenskyt i ngjan një harte lufte. Aty ka lot, ka trishtim, ka dëshpërim, ka shpagim, ka zhgënjim, siç ka dhe shpresë. Nëse do isha duke shkruar një hartim gjimnazi për Ukrainën, në eufori e sipër, do të thosha se në fushën e Ukrainës, Zelensky është i vetmi mal, nga lartësia e të cilit mund të shikosh edhe tanket ruse në Lindje edhe karvanet me ndihma që vijnë nga Perëndimi.
Nga portreti i Zelenskyt mund të kuptosh, sesi superfuqitë e kanë ndarë botën në Lindje Perëndim dhe duke u grindur se ku është kufiri, kanë shkaktuar me mijëra viktima, funeralet e të cilave Zelensky i organizon cdo ditë.
Zelensky varros me dinjitet viktimat e superfuqive në tokën e Ukrainës. Kjo është puna e tij kryesore.
Kur fotografon, mësohesh të kuptosh çfarë mendon një njëri në atë moment. Mua mu duk sikur Zelensky ishte me ne, por mendonte për disa të vdekur të dashur. Ose disa të dashur, që kishin vdekur.
Nuk e kisha menduar kurrë se ndonjëherë do merresha me fotografi, por tani e kuptoj se nevoja për të njohur njerëzit më coi para disa muajsh te një aparat i përdorur Nikkon, i cili meqë ra fjala, nuk gjeti dritën e duhur kur unë duhej të fokusohesha mbi fytyrën e Zelenskyt, nga një largësi prej 30 hapash.
Megjithatë ekspozita që munda të realizoj për Ukrainën, nuk është vetëm Zelensky.
Fotot nga Borodyanka dhe Irpini, dy qytete të bombarduara ne periferi të Kievit janë të mbushura me gjurmë lufte.
Mes shumë njerëzve që do doja të falenderoja për ndihmën që më kanë dhënë për hapjen e kësaj ekspozite, nuk mund të le pa përmendur një ushtar ukrainas në Irpin, të cilit nuk i di emrin.
Ndërkohë që fotografoja rrënojat që tanket dhe predhat ruse kanë lënë mbi këtë qytet, me 60 mijë banorë, pashë një shilarës në oborrin e dy pallateve të shkatërruara. Meqë askush nuk jetonte më aty dhe shilarësi ishte bosh, unë i kërkova një ushtari me kallashnikov dhe me maskë në fytyrë, të ulej dhe mundësisht të tundej mbi shilarësin si një fëmijë. Ai nuk e kuptoi çfarë po i thosha sepse, ti kërkosh një ushtari që i ka shpëtuar bombardimeve, të lëkundet mbi një shilarës, duket një shaka pa kuptim. Megjithatë ai pranoi, u ul mbi shilarësin e fëmijëve të Irpinit dhe u tund disa herë derisa unë mora foton që desha.
Kur ushtari u ngrit, shefi i tij e qortoi dhe unë bëra sikur qesha, për ti thënë se faji ishte i imi, sepse civilët si puna ime, nuk dinë si të sillen në luftë.
Fotoja e ushtarit që tundet, është e varur në muret e COD, bashkë me 66 fotografi të tjera, nga Borodyanka e poetit të pushkatuar ukrainas Taras Shevcenko, nga tanket dhe këpucët e të vrarëve në Muzeun e Luftës, nga gratë mbi stolat e bukur të qytetit, e deri tek Olga, shefja e shoqërimit ukrainas, e cila për 10 minuta, më fshiu më shumë se 50 fotografi të postblloqeve me kryqe hekuri që popullonin qendrën e Kievit, sepse sipas saj, ato përbënin një sekret ushtarak që mund të binte në duart e armikut.
Fotografitë që u përzgjodhën për këtë ekspozitë, janë shkrepur në më pak se 10 orë qëndrimi në Kiev dhe ky nuk është vendi të qahem se pse, shumicën e këtyre 10 orëve, kam lëvizur me makinë nga një destinacion në tjetrin, duke humbur kështu me qindra fotografi të tjera, me të cilat cdo këmbësor kurioz, me një aparat në qafë, do kishte bërë një ekspozitë shumë më të pasur se unë.
Por percipecitë e kësaj ekspozite që u nis me tren për të ardhur në Tiranë, nuk përfunduan me kaq. Pas seleksionimit ushtarak të Olgës, fotografive të mia iu desh të kalojnë nëpër një filtër tjetër edhe më të vështirë. Atë të vajzave të COD.
Ky filtër nuk zgjati 10 minuta, as 10 orë, por më shumë se 10 javë. Si një fotograf modest unë e pranova përzgjedhjen e tyre me qetësi dhe jam i bindur se 67 fotot përfundimtare, janë më të mirat.
Ato tregojnë Ukrainën që pashë.
Me këtë rast dua të falënderoj Eridana Canon dhe gjithë stafin e saj, pa dyshim Enën, që e kuruan me aq shumë elegancë ekspozitën time të parë fotografike, e cila do jetë e hapur në ambjentet e COD nga data 6 deri në 30 shtator.
Duke mirëkuptuar kërkesën e vetme që kisha, që fotografitë të ekspozohen më shumë se autori, u vendos që, Ukraina në 10 orë, të mos hapet me një ceremoni publike.
Prandaj askujt nuk iu bë një ftesë, sepse të gjithë janë të ftuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

one + eighteen =