Patriarkalizmi është fashizëm privat

Lis Bukuroca
Ne lindemi të mirë, si edhe vajzat, por edukata e keqe po na shkatërron jetën dhe nëpërmjet nesh, edhe juve që na edukuat për kriminelë, për psikopatë!
Ne nuk kemi një edukatë, si bota e përparuar, por dy, si bota mesjetare: një për djem dhe një tjetër për vajza. Te e para predikohet krenaria dhe guximi, te e dyta mësohet moskundërshtimi dhe nënshtrimi i pakusht!
Ose, djemtë stërviten për t’u bërë trima, vajzat për t’u bërë skllave.
Ne nuk besojmë se njeriu ka dinjitet, por vetëm se burri e ka! Gabimet tragjike i falen burrit, por jo edhe një gabim i vogël gruas! Gruas i mbetet si damkë tërë jetën!
Djali nuk mësohet për ta pushtuar vajzën apo gruan me dashuri, por për ta dominuar, për ta nënshtruar, për ta dhunuar dhe për ta treguar veten guximtar, guximtar jo duke luftuar për drejtësi, por duke trajtuar më të dobëtit si polici serb dje dhe, kryesisht ata në shtëpi! Në familje!
Ne mësohemi të duam dhe çmojmë vetëm burrat, por jo gratë. Vetëm ata që ishin më të fortë se ne!
Një popull që konsideron normale shtypjen e grave të veta, që diskriminon bijat e veta, që përdhunon më të dobëtit, ai popull dëmton të tashmen dhe shkatërron ardhmërinë! Ai popull vetëm fizikisht është në vitin 2022!
Burrat u çliruan nga pushtuesi, është koha e fundit të çlirohet gruaja nga poshtërimi dhe diskriminimi mashkullor. Mësoja djalit barazinë gjinore, se njeriu ka dinjitet jo vetëm burri! Nesër do të falënderohet bashkëshortja e tij, kurse nipat dhe mbesat do të mburren me ty!
Me emancipimin e burrit, nis ndërtimi i ardhmërisë dhe lumturisë së një kombi…
Megjithatë, protesta e sotshme jep shpresë se ky popull nuk është prishur në tërësi… — feeling heartbroken.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

eighteen − ten =